Derbi i çmendur fitohet nga Interi  

schedule11:30 - 17 Mars, 2019

schedule 11:30 - 17 Mars, 2019

Trajneri i Interit, Luçiano Spaleti, kërkon më shumë vazhdimësi pas fitores në derbi. Suksesi ndaj Milanit bëri që të kalohej kriza e eliminimit nga Evropa.

Nëse duhej një provë për të dhënë se kjo skuadër vlen, madje edhe pa ish-kapitenin, nuk mund të gjendej më e mirë sesa derbi.

Interi ia doli duke marrë një fitore të madhe ndaj Milanit, në një stadium plot me tifozë kundërshtarë, por edhe duke ia përplasur në sy Mauro Ikardit të vërtetën se një ekip vlen më shumë sesa një lojtar.

U desh gjithë përvoja dhe aftësia e trajnerit Luçiano Spaletit, për të qetësuar lojtarët, dhe për t’i bindur se mund t’ia dilnin ndaj një Milani me 5 fitore radhazi në Serinë A.

“Kohët e fundit, shumë gjëra na shkuan keq”, – tha Spaleti, – veçse, ne nuk lejuam që fati i keq të na pengonte për të luajtur futboll. Ndaj Milanit, ndryshe nga ndeshja ndaj Ajntrahtit, ne patëm disiplinë taktike dhe çdo lojtar bëri detyrën. Ne kemi lojtarë shumë të mirë, mund të jemi skuadër shumë e fortë, thjesht duhet që secili të bëjë detyrën dhe të ndihmojë shokët”.

Ashtu siç shkoi derbi, kuqezinjve të Gatuzos nuk u mjaftoi zemra dhe shpirti që e lanë në fushë, pasi zikaltërit treguan më shumë cilësi.

“Patëm probleme sidomos në pjesën e parë, në mënyrën sesi po bënim presion, – ishin fjalët e trajnerit milanist, – ishim në inferioritet ndaj tyre gjatë gjithë kohës. Interi ishte i saktë dhe na nxori jashtë loje. Problemi ynë ishte se lojtarët e gabuar u ndodhën në vendin e gabuar. Gjithsesi, ne mund të kualifikohemi për në Champions, pas shumë viteve”.

Interi e qarkulloi më mirë topin dhe u përshtat më shpejt me ndeshjen, duke shënuar që në minutën e 3-të.

Goli i Vesinos ndikoi direkt, dhe të besuarit e Spaletit ishin më të qetë sesa ata të Gatuzos.

Goli i dytë i De Vrajit sikur zgjoi kuqezinjtë që reaguan shpejt dhe shkurtuan diferencën me anë të Bakajokos.

Gjithsesi, u desh një penallti, që Interi të rivendoste epërsinë dygolëshe.

Lautaro Martinez nuk gaboi në 67’, por asgjë nuk kishte përfunduar.

Mateo Muzakio sërish afroi Milanin në 71’, ndërsa minutat e fundit ishin dramë.

Arbitri përjashtoi Kontin e Milanit për një ndërhyrje të ashpër ndaj Lautaros, ndërsa më pas e ktheu të kuqin në të verdhë, pasi u këshillua me VAR-in.

Pamjet e përsëritura treguan se i kuqi ishte i merituar, por ndoshta gjyqtari deshi të ekuilibronte pas penalltisë disi “të lehtë” për Interin.

Milani pati dy raste të mirë në fund, me Kastijehon me kokë, dhe me Kutronen, por nuk mundi të barazonte.

“La Gazeta delo Sport”: Inter i çmendur! Ringjallet pas një superderbi dhe parakalon Milanin! Spaleti tërësisht i saktë, sfida e Championsit është e tija!

“Il Korriere delo Sport” perifrazon fjalët e himnit të Interit: Dashuroje përsëri! Interi, derbi dhe parakalim! Rigjen tifozët dhe pret Ikardin!

Fitoi Interi dhe u ngjit në vend të tretë, një sukses i rëndësishëm për moralin, por edhe për kualifikimin për në Champions, pas krizës “Ikardi” dhe eleminimit nga Liga e Europës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!