Derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana, do të zhvillohet të premten në “Air Albania Stadium” dhe në njoftimin e FSHF-së lihet të kuptohet që do të jetë një derbi solidariteti dhe të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
NJOFTIMI I FSHF – “Air Albania Stadium” mirëpret për herë të parë derbin e madh të kryeqytetit Partizani-Tirana. Ditën e premte, më datë 13 dhjetor ora 19:00, investimi më i madh i futbollit shqiptar “Air Albania Stadium”, do të mirëpresë në derbin e solidaritetit dy klubet historike në vendin tonë dhe në kryeqytet: Partizani-Tirana; përballje e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore, edicioni 2019/2020.
Të dy klubet e mëdha dhe të suksesshme të traditës shqiptare, do ta kërkojnë me ngulm suksesin dhe fitoren në këtë tempull të ri të futbollit kombëtar. Kjo ndeshje përkon të jetë e para sa i përket Kategorisë Superiore, në këtë stadium të ri, ku sigurisht rezultati ka vlera historike.
Sportdashësit e të dyja skuadrave në këtë stadium modern me një kapacitet prej 21 690 vendesh, do të gjejnë kushtet më të mira, që janë të njëjta me stadiumet më në zë në Evropë dhe botë. Derbi i kryeqytetit daton prej fillimit të vitit 1946 dhe që prej asaj kohe ka vijuar me një interes përherë në rritje, me grintë, duel sportiv dhe spektakël.
Organizimi i kësaj super-përballjeje në impiantin e ri dhe modern sportiv të Shqipërisë, i jep derbit një imazh tjetër, si dhe sportdashësve një mbrëmje të paharruar. FSHF fton dhe mirëpret të gjithë sportdashësit, së bashku me familjet e tyre – veçanërisht me fëmijët, për të shijuar magjinë e futbollit tonë. /abcnews.al
https://www.instagram.com/p/B57azWmFW9h/?igshid=zcqinko1e61a