Derbi gjerman i Europës/ Bayern dhe Leverkusen, sfidë lavdie në Champions

schedule12:58 - 5 Mars, 2025

schedule 12:58 - 5 Mars, 2025

E habitshme, por nuk janë njohur kurrë më parë. Edhe pse në një shtëpi, dy ekipe Bundeslige, sërish Bajerni dhe Leverkuseni nuk janë ndeshur ndonjëherë në kupat e Europës, pra as në Champions.

Dueli i sotëm në “Alianc Arenë” do të jetë I pari mes dy ekipeve më të fortë të Gjermanisë. Gjithsesi, për këtë sezon ia kanë parë pak si shumë fytyrën njëri-tjetrit.

Pas dy sfidave të kampionatit dhe asaj të Kupës, kjo do të jetë ndeshja e katërt, në pritje të së pestës të mërkurën që vjen. Bajerni padyshim që jepet favorit, edhe pse Leverkuseni e eliminoi nga Kupa, dhe I mori dy barazime në Bundesligë.

Sezoni i kaluar ishte i “aspirinave” që fituan titullin dhe Kupën si dhe arritën finalen e Ligës së Europës. Për kampionët mungon Andrih i dëmtuar, ndërsa Tapsoba mund të kthehet titullar.

Ylli kryesor i tyre këto kohë po konsiderohet Granit Xhaka, që foli në konferencën e shtypit para ndeshjes.

“Edhe pse çdo ndeshje në Champions është e veçantë, thjesht bëhet fjalë për 90 minuta të ndeshjes së parë dhe 90 minuta të së dytës. Ndoshta, ndeshja e dytë mund të zgjasë pak më tepër. Ne duhet të jemi të zgjuar për të marrë maksimumin e mundshëm. Nuk mendoj për karton të verdhë dhe pezullimin. Kam shumë përvojë tashmë për të menduar për këtë gjë. Do të bëj çmos që të shmang kartonin, por kryesore është të marrim rezultat pozitiv. Do të japim gjithçka. Ne e luajmë çdo ndeshje sikur të jetë e fundit”.

Bajerni ndërkaq nuk ka mungesa, edhe pse Kimih ishte në dyshim deri në fund. Kejn është titullar, ndërsa stoli është I fuqishëm me të tillë si Gnabri, Palhinja, Sane, Pavlovic apo Tomas Myler.

Gjithsesi, parashikimet nuk janë edhe aq në të mirë të bavarezëve. Ish-kapiteni i Bajernit dhe i Gjermanisë, Lotar Mateus, kampion i botës në 1990, mendon se gjigandët do të eliminohen!

“Bajerni ka shumë më tepër se çfarë të humbasë”, – paralajmëron gjithashtu për “Bildin”, ish-trajneri i Bajernit e Dortmundit, Hicfeld.

Rekordmenët e titujve natyrisht nuk do të dëgjojnë ç’thotë bota. Si për të treguar se çfarë do të thotë Bajern, ata festuan me madhështi 125-vjetorin e themelimit të klubit që është 33 herë kampion I Gjermanisë dhe 6 herë kampion i Europës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!