Sytë janë nga Partizani-Tirana, dueli që zhvillohet të enjten prej orës 19:00. Një derbi shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, për objektivat dhe shumë vendimtar për vazhdimësinë në këtë sezon.
Gjithsesi ka lojtarë që nuk mund të mendojnë vetëm për këto 90 minuta, pasi edhe javën tjetër i presin ndeshje shumë të forta. Partizani përballet në transfertë me Teutën dhe janë të shumtë lojtarët që rrezikojnë ta humbin atë duel.
Disa u ruajtën në Korçë që të ishin në derbi dhe ia dolën. Lista e atyre që rrezikojnë Teutën është e gjatë, duke nisur me Erald Çinarin, e për të vazhduar me Esin Hakajn, Egzon Belicën, Jasir Asanin dhe brazilianin Stenio Junior.
Edhe te Tirana janë disa lojtarë që nëse ndëshkohen me kartonë të verdhë, atëherë mund të mungojnë ndaj Laçit në ndeshjen pasardhëse. Më kryesori është kapiteni Idriz Batha, ndërkohë që rrezikojnë edhe Behiratche, Grent Halili dhe Jurgen Vrapi. / abcnews.al

