Deputeti i LDK-së në Kosovë kërkon arrestimin e Ramush dhe Nasim Haradinajt

schedule19:57 - 17 Tetor, 2020

schedule 19:57 - 17 Tetor, 2020

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar për privatizimet e tokave me çmime prej 1 deri në 3 euro në Kosovë, raporton Express. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Avdyli ka kërkuar që të arrestohen ata që kanë privatizuar toka me këto çmime dhe të iu konfiskohen këto toka, duke aluduar kështu për Ramush Haradinajn dhe kushëririn e tij, Nasim Haradinajn.

“Sistemi i drejtësisë në Ks thua është inekzistent. Po te egzistonte sot do kishte arrestime për privatizimet e tokave prej 1 deri ne 3 Euro, dhe normalisht konfiskime”, ka shkruar Avdyli.

Ndryshe, Kryetari i AAK’së në deklarimin e pasurisë në Agjensinë Kundër Korrupsion të vitit 2019 ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.

Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim. Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi.

Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro. Megjithatë kjo nuk dihet nëse është vlera me të cilën Haradinaj ka blerë tokën e shtetit, apo shuma që Nasim Haradinaj tashmë vlerëson pronën e blerë në vitin 2004.

Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro. Ndryshe Blerim Rexha gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka thënë se pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit (AKP).

Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë sipas tij ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët. “Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, tha Rexha, raporton Gazeta Express. Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!