Deputetët shqiptarë dhe kriza qeveritare në Mal të Zi: Kemi shënuar hapa prapa

schedule20:17 - 10 Tetor, 2021

schedule 20:17 - 10 Tetor, 2021

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi e cilësojnë si joserioze ftesën e kryeministrit malazez për bisedime dhe mundësisht për hyrjen e tyre në qeveri.

Deputeti dhe ish-nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu vlerëson se ftesat e fundit, janë shtuar si pasojë e krizës qeveritare në Mal të Zi.

Kryeministri na ka ftuar publikisht që të jemi pjesë e qeverisjes, por ajo ftesë nuk ishte e sinqertë, nuk ishte e plotë dhe më tepër u paraqit për hire të opinionit ndërkombëtar pasi ne kurrë nuk morëm asnjëfarë përgjigje nga kryeministri”, tha zoti Nimanbegu për Zërin e Amerikës.

Deputeti Nimanbegu, vë në dukje, se shumica parlamentare në Mal të Zi është në një krizë të dukshme dhe se ata kërkojnë rrugëdalje nga kjo situatë.

Kjo qeverisje është dëshmuar si një eksperiment i quajtur “ Qeveri e ekspertëve”, e cila nuk ka mbështetje të kuvendit, por as ligjimitetin parlamentar dhe këtë e shohim si një përpjekje për tu ruajtur një qeverisje që kanë shumë pika ndarëse në mes të tyre”, thekson zoti Nimanbegu.

Kjo situatë, sipas deputetit dhe anëtarit të Komisionit për Integrime Evropiane në Parlamentin e Malit të Zi, Fatmir Gjeka ka shënuar hapa prapa në integrimet evropiane të vendit.

Mendoj se kemi shënuar hapa prapa gjatë këtij viti. Ne presim raportin për këtë periudhë 1 vjeçare për përparimin e Malit të Zi drejt integrimeve evropiane, por të gjitha treguesit sinjalizojnë se ne nuk kemi bërë asnjë hap përpara, por përkundrazi kemi shënuar hapa prapa”, tha zoti Gjeka.

Daljen nga kriza politike deputetët shqiptarë, ashtu si edhe opozita malazeze, e shohin përmes një qeverisjeje të pakicave ose qeverisjes teknike pa i përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme.

Deputeti Gjeka mendon se më së miri do të ishte që të krijohen resurset zgjedhore dhe të mos keqpërdorën ato.

“Më së miri do të ishte mos ti jepet mundësi shumicës proserbe dhe proruse të keqpërdor resurset zgjedhore në fushatë dhe siç kemi vërejtur, mund ti përdorë në një mënyrë katastrofike”, tha zoti Gjeka.

Ndërkaq, deputeti Nimanbegu vlerëson se dalja nga kjo krizë duhet të jetë një qeverisje që do të krijojë kushte për zgjedhje sa më demokratike.

“Dalja nga kjo krizë e thellë duhet të jetë një qeverisje që do të krijojë kushte për zgjedhje demokratike dhe të plota. Opsioni që të formohet një qeveri teknike do të ishte më mirë”, tha zoti Nimanbegu.

Deputetët shqiptarë vlerësojnë se ditëve në vijim priten ndryshime në skenën politike në Mal të Zi dhe në këtë kuadër ata shprehen se do të mbështesin partitë e opsionit promalazez./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!