“Deputetët, komformistë dhe jo teknikë”, juristët: Ligjbërja monopol, zgjedhësit “jashtë loje”

schedule21:15 - 6 Korrik, 2021

schedule 21:15 - 6 Korrik, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Anila Dedaj

Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive.  Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja  duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet  nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.

……………………….

Në 21 prill të vitit 1921, pas mbledhjes së 56 deputetëve të Këshillit Kombëtar, nga 78 që ishin të përzgjedhurit, do të këndohej fjala e Fronit. Legjislatura e parë shqiptare po bëhej një fakt i kryer dhe shqetësimi prioritar i përfaqësuesve të popullit ishte zgjerimi i Statusit të Lushnjës, shndërrimi i tij në një kushtetutë të mirëfilltë e më pas lajmërimi i Fuqive të mëdha: Shqipëria ishte një shtet ligjor dhe kishte Parlamentin e saj të parë.

Ndërgjegjësimi për misionin e këtij organi në nxjerrjen e ligjeve e plotësimin e rregullores, vinte nga brenda-jashtë. Imazhi i Parlamentit kishte peshë në popull, jo prej godinës “kryenaltë” të Akademisë së Shkencave, prej nga hyjnë edhe sot deputetët, por, prej të zgjedhurve dhe pikësynimeve të tyre.

Një shekull më pas,140 postet  e dhomës së Kuvendit, janë mëtuar e dorëzuar tek figura të largëta nga Pandeli Evangjeli, Fan Noli, Mithat e Eshref Frashëri, e të tjerë burrave shteti. Shumica prej tyre, vijnë si të panjohur nga populli, në mungesë të një kontributi politik a intelektual. Madje, disa syresh veshin  kostumin e deputetit,  të pandërgjegjësuar për detyrën e tyre kryesore në  Kuvend, për të vendosur drejtimin politik të Shqipërisë si LIGJBËRËS.

Ndonëse, çdo deputet ka të drejtë të propozojë  projektligje në Kuvend, në 3 dekada demokraci, iniciativat ligjore të ardhura prej tyre kanë qenë të vakëta e shumicën e herëve “gjysmake”. Ndërsa i konsoliduar mbetet roli që kanë si miratues besnikë të projektligjeve të Kabinetit Qeveritar, që përbëjnë 85 përqind të të gjitha propozimeve. Kështu, deputetët, veçanërisht nëse janë pjesë e maxhorancës, nuk devijojnë thuajse asnjëherë nga akti i fundit i diskutimeve parlamentare për të ngritur kartonat jeshilë për projektligjet qeveritare.

Edhe përgjatë vitit 2021 ata nuk kanë nxjerrë problematika në votimet e projektligjeve. Për këtë periudhë, Qeveria aktuale në programin e saj analitik ka përgatitur 86 projektakte të propozuara përmes ministrive përkatëse.  Për kalimin e tyre në Kuvend,  votat e deputetëve të maxhorancës i kalojnë të 70-tat.

Ndërsa sa i përket mënyrës së tretë të propozimit të ligjeve si iniciativë e 20 mijë zgjedhësve në vendin tonë, sipas të dhënave të Kuvendit është aplikuar vetëm një herë në vitin 2006, për ligjin nr.9669 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Ajo që vërejtën 10 organizatat jofitimprurëse që e iniciuan nismën ishte se institucionet nuk kishin menduar se shqiptarët mund ta ndërmerrnin një hap të tillë, pasi ata nuk u kishin mundësuar atyre një proces formal, ku të ndiqej më tej zyrtarisht procedura. Në një farë mënyre organet ishin të vetëkënaqura me përqendrimin e iniciativave ligjore defakto, në një dorë të vetme.

Siç shpjegon Gjergji Vurmo, studiues i lartë për qeverisjen e mirë dhe pranimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo është një shenjë e demokracisë së cunguar dhe zërit të mbytur të popullit shqiptar në pavetëdijen e pafuqinë për  të ushtruar të drejtat e tij ligjore./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!