Deputetët i vodhën votat njëri-tjetrit, Bele: Komisionerët e kanë bërë nga simpatia

schedule20:05 - 5 Nëntor, 2021

schedule 20:05 - 5 Nëntor, 2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi verifikimet paszgjedhjeve, ku janë vërejtur jo pak shkelje, në të cilat janë përfshirë dhe komisionerë. Në shifrat e detajuara që u bënë publike nga kryekomisioni Ilirjan Celibashi janë 20 komisionerë, për të cilët do të kryhen verifikime për votim më shumë se një herë, apo kalim të votave nga një kandidat tek një tjetër.

Për të folur për konstatimet e fundit, por edhe problemet në tërësi nga procesi i 25 Prillit, sonte në “Radarin Informativ” në ABC ishte i ftuar anëtari i KAS-it, Koli Bele. “Nuk besoj se ato gjetje kanë qenë thelbësore” tha ai për shkeljet që evidentuara nga KQZ.

Por cfarë mendon Bele për komisionerët që i kaluan votat nga njëri kandidat tek tjetri brenda partisë? “Kur flasim për përgjegjësi penale duhet të kemi shkelje në atë masë kritike që të jetë e dukshme në ato raste që ta meritojë ndëshkimin, në ato raste që ka një apo dy mund të jetë gabim njerëzor dhe duhet parë. Ky sistem ishte për herë të parë. Fokusi ka qenë te votat e partive se kush do të qeverisë vendin.

Në këto zgjedhje patëm edhe votat për kandidatët, fokusi i partive ka qenë të ruajnë votat e tyre, pastaj diku një komisioner i zellshëm i motivuar nga arsye simpatie, tifozllëku apo cfarëdo lloj arsye, por nëse një komisioner apo më shumë në një masë kritike ka ndërhyrë në këtë lëvizje të brendshme është fenomen ku duhet të ndalemi dhe të ndëshkohet. Por në 500 e disa qendra janë vetëm pak ku kjo është në një masë kritike” tha ai.

Por a duhet që komisionerët të bëhen shembull? “Ndëshkimi është forma e edukimit dhe nuk do të jetë risi nëse një apo disa komisionerë do të referohen, KQZ ka detyrimin që kur konstaton një shkelje t’i referohet prokurorisë. Afatet janë në përfundim të procesit, kur të ketë një gjetje të finalizuar. Të dërgosh në bllok gjetjet janë bën edhe të vështirë punën prokurorisë.

Mendoj se duhet bërë kujdes edhe në kallëzimet. Nuk mund të mbyllim sytë, por dërgo, dërgo në prokurori, SPAK-u, SPAK-u, por nga kallëzimi te ndëshkimi është një rrugë e gjatë” tha Bele. Kandidatët që përfituan nga lëvizja e votave brenda partive i përjashtoi nga përgjegjësia, qoftë edhe morale. “Nuk është kandidati ai që numëron te kutia”.

Zgjidhjen, anëtari i KAS-it e shikon te depolitizimi i administratës zgjedhore. “Duhet të ecim drejt depolitizimit të administrimit zgjedhor. Të largimit të faktorit politik nga administrimi i procesit zgjedhor, ky është momenti” tha ai. Koli Bele e vlerësoi, identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik dhe formatin e fletës së votimit të zgjedhjeve të 25 Prillit./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!