Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi u shpreh nga Kuvendi i Shqipërisë ku mbajti një fjalim, se vendi ndodhet më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Ai kërkoi që të gjitha forcat politike të punojnë për reformat dhe integrimin e vendit. Reforma zgjedhore, tha ai është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare.
“Shqipëria i ka ndjekur me vendosmëri përpjekjet për reforma. Vendi juaj është pranë përmbushjes së të gjitha kushteve përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Ka vijuar zbatimi i reformës në drejtësi, vettingu.
Janë hapur edhe dy proceset e aplikimit për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese, gjykata e Lartë ka rifituar kuorumin dhe është funksionale. Sa i takon luftës kundër krimit, është përfunduar krijimi i trupave të reja. Ka pasur ecuri në zbatimin e ligjit, ku kemi parë një numër operacionesh të suksesshme.
Kam mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit që zbaton rekomandimet OSBE-se dhe inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin te këto reforma, përfshirë ato që përfshijë 5 qershorin. Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Institucionet duhet të punojnë që të bëjnë të mundur që Shqipëria të ecë përpara drejt BE-së.
Shqipëria kaloi një periudhë të vështirë me tërmetin dhe krizën e Covid-it, ne kemi qëndruar pranë jush me një asistencë që nuk ishte njohur. Edhe Shqipëria i dha BE-së ndihmën e saj duke u cuar personel mjekësor qytetarëve të BE-së. Ne jemi në atë moment kyç, Shqipëria gjendet më pranë se kurrë përpara BE-së, prandaj kontributi i të gjitha forcave është kyç, le ta marrim atë hap për të ardhmen e Shqipërisë” tha ai. db/Abcnews.al