Ligjvënësit nga Partia e Lirisë, pro-ruse, e së djathtës ekstreme u larguan nga dhoma e ulët e parlamentit të Austrisë të enjten gjatë një fjalimi të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke protestuar se fjalimi i tij shkelte neutralitetin e Austrisë.
Reuters raporton se Zelenskiy iu drejtua parlamentit live, duke falënderuar Austrinë për ndihmën e saj humanitare dhe ndihmën me projekte të tilla si heqja e minave tokësore.
Austria tha se neutraliteti i saj e pengon atë nga përfshirja ushtarake në konflikt dhe ndërsa ajo mbështet politikisht Ukrainën, nuk mund t’i dërgojë armë vendit në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Partia e Lirisë (FPO), megjithatë, kishte paralajmëruar ditë më parë se do të mbante një formë proteste kundër fjalimit të presidentit ukrainas.
Ligjvënësit e saj morën pjesë në fillim të fjalimit dhe më pas u larguan.
“Është e trishtueshme që FPO është e vetmja parti në parlament që e merr seriozisht neutralitetin tonë të përhershëm, duke mbrojtur kështu paqen”, tha kreu i FPO-së Herbert Kickl në një deklaratë të martën.
Ligjvënësit që u larguan lanë pankarta të vogla në tavolinat e tyre me logon e parties me mbishkrimin: “hapësirë për neutralitet” ose “hapësirë për paqen”.
Nga pesë partitë në parlament, FPO ka numrin e tretë më të madh të deputeteve.