Deputetë të pastrehë, ku ka tym të fusin kokën

schedule13:37 - 17 Tetor, 2024

schedule 13:37 - 17 Tetor, 2024

Nga Frrok Çupi

Rrugëve të Tiranës kemi njohur plot nga njerëzit ‘homelesses’. I fundit ishte Gëzim Kulufi, jeta e të cilit kulmoi me krijimin e PD. Qe njeri i mirë, i paqtë, veçse donte miqësi me liderët e PD që kalonin në ‘rrugën e Salës’ atëherë.

Ai nuk është më. Fatkeqësisht edhe plot të tjerë të pa strehë, kanë humbur jetën e nuk i kemi.

Ma solli ndërmend Gëzimin dhe shokët vrapi sot i deputetëve të PD; vrap te Kuvendi, laën kuvendin e vrap te Bashkia. Te Bashkia gjetën një zjarr, ngrohën duart dhe u nisën për te zjarri para Kuvendit. Po vjen koha për dimër; njerëzit me strehë po grumbullojnë drutë, por vetëm ata që kanë strehë.

Këta më duken të pastrehë. Pamja ‘vrapo për atje ku del tym’, është vetëm dukja. Të parët e tyre kanë vrapuar edhe poshtë urave ku nuk i zë shiu. Por thelbi është ky: Këta vërtet nuk kanë strehë. Edhe rruga e Salës është kthyer në vend elitar, si ‘rruga e shpresës’; nuk u shkon të pastrehëve që të bëjnë tangërllëk e të kërkojnë ‘rrugë miradinash e shpresash’.

Këta deputetët e PD, në fakt janë krijesa të ‘shpresës Sali’, por paradite nuk u lejohet të strehohen në atë rrugë. Pasdite, nga ora e akshamit, ata venë atje. Venë tamam si të pa strehë. Secili prej tyre raporton te ‘rruga’ se sa zjarre ndezi sot, sa parfum hodhi për të djegur parlamentin, sa goma dogji, sa njerëz trembi, sa kanaçe mblodhi për t’i pasur për nesër.

Mbi bazën e këtyre meritave, nesër bëhen deputetë prapë. I shikon Dr. që nga kati lart dhe u hedh nga një shpresë për deputetë. Por prapë ‘deputetë pa strehë’ mbeten. Streha e tyre politike është shkërmoqur. Prej asaj ngrehina kanë dalë dy parti të tjera që po njihen si opozitë. Ato e kanë derën hapur; ndërsa PD e Dr. e ka derën mbyllur përjetë. Në jetë të jetëve nuk e njeh njeri, as brenda vendit dhe as në botë, si ‘strehë politike’.

Edhe këta, përditë e më pak shterojnë. Siç edhe kanë mbetur rrugët e Tiranës përditë e më pak me të pa strehë të atij kallëpit të ‘njeriut të mirë Kuluf’.

Po ç’më kujtuan prapë sot njeriun e mirë të rrugëve. Kolegu im i hershëm, Vangjush Gambeta, gazetar si ai!, sa herë lirohej nga internimi, pikaste dy a tre të pastrehë që ndiznin zjarr në të ftohtë, o në stacionin e trenit o nën urë, dhe kalonte natën me një gotë konjak e me zjarr. E kam parë me respekt  dhimbje.

Po këta nuk besoj se kanë lidhje me ‘njeriun e mirë’. Këta janë vetëm këta, pesë a dhjetë vetë, që turren sa te zjarri para Bashkisë te zjarri para Kuvendit. Duan të duken shumë. Pastaj u nisën për në seli, që as ajo nuk është ‘strehë e tyre’. Rrugës, teksa nisi të flasë Muli, në atë sekondë nisi të këndojë hoxha në Namazgjanë e re. O zot, pse?

E mbylli Muli. Sa ç’pa strehë, këta janë edhe pa fjalë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!