Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi sot vendimin e Moskës për të dëbuar dy diplomatë amerikanë si “të pajustifikuar”.
“Ky dëbim i pajustifikuar i (anëtarëve) të stafit tonë diplomatik është krejtësisht i pamerituar,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. “Edhe një herë, Rusia ka zgjedhur konfrontimin dhe përshkallëzimin në vend të angazhimit konstruktiv diplomatik”, tha Miller, duke vënë në dukje se Moska “vazhdon të ngacmojë zyrtarët e ambasadës sonë, ashtu siç vazhdon të frikësojë qytetarët e saj”.
Më herët, Ministria e Jashtme ruse njoftoi dëbimin e diplomatëve amerikanë Jeffrey Silin dhe David Bernstein, të cilët dyshoheshin për spiunazh.
Ministria e Punëve të Jashtme në Moskë ftoi ambasadoren amerikane Lynne Tracy për të sqaruar këtë rast.