Denoncimi i fqinjve në maj pas sherrit me Zhidrun në Elbasan, policia: Familjet ishin në gjyq

schedule21:34 - 25 Shtator, 2020

schedule 21:34 - 25 Shtator, 2020

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaron se në muajin maj pas e-mail-it të dërguar në adresë të policisë nga një qytetare në Elbasan se kishte konflikt me Lefter Zhidrun, ka reaguar menjëherë atë ditë duke ua përcjellë urdhrin strukturave që të ndërhyjnë për të sqaruar rrethanat.

Po sipas policisë, strukturat kanë verifikuar dhe trajtuar problemin mes familjeve. Por si? Sipas policisë, qytetarja dhe Zhidru janë kontaktuar dhe prej asaj datë nuk ka pasur më ankesa. Policia e Shtetit thotë se mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media se një shtetase nga lagjja “11 Nëntori”, Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:

Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it [email protected], është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas. 

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.

Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.

Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.

Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm” deklaron policia e Shtetit” thotë policia.

Fqinjët e kanë përshkruar si problematik raportin e krijuar nga Lefter Zhidru me banorët e tjerë të pallatit apo edhe familjen e tij.

Ata treguan se ishin bërë shpesh dëshmitarë të sherreve të tij me bashkëshorten, gjë për të cilën kishte ardhur vazhdimisht edhe policia.

Abcnews.al siguroi një video të prillit 2020, në të cilën është fiksuar momenti kur Lefter Zhidru me bashkëshorten e tij konfliktohen me disa djem të rinj të lagjes pasi 71-vjeçari kishte thirrur policinë me argumentin se ata bënin zhurmë.

Pas përplasjeve me të, fqinjët iu drejtuan kreut të Policisë së Shtetit me një peticion duke kërkuar marrjen e masave ndaj tij me frikën se gjatë konflikteve mund të ndodhë ndonjë vetëgjyqësi.

Abc News mësoi nga banorët se kanë qenë të paktën dy e-maile që i janë drejtuar Veliut që kërkonin marrjen e masave ndaj Zhidrut, por që sipas tyre nuk u reagua deri në ngjarjen e djeshme.

Lefter Zhidru u ekzekutua dje nga RENEA pasi iu përgjigj me breshëri automatiku thirrjeve të tyre për tu dorëzuar, ndërkohë që më herët kishte plagosur dy persona. db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!