Ish kryeministri Sali Berisha ka folur mbi kushtet tek spitali Infektiv. Në një lidhje direkte në “Zonë e Lirë”, Berisha iu referua ish futbollisti Florian Riza, i cili u infektua nga Covid-19. Në një intervistë për Abc News ai denoncoi kushtet e vështira te spitali Infektiv, si dhe neglizhencën e 127 për rastin e tij.
Berisha ka thënë se disa ditë më parë i erdhi një mesazh nga një qytetar që iu ankua për këto kushte, por nuk ia besoi këtë mesazh dhe i ka kërkuar falje publikisht qytetarit.
Duke e falenderuar Rizën për denoncimin e bërë, Berisha tha se është turpëruar me veten që nuk i besoi qytetarit që i kishte dërguar më herët sms për kushtet te Infektivi.
“Nuk po propozohet një ligj për ata që vjedhin nga mëngjesi deri në darkë, po të jetë puna për ligje lufte, jo ai që shkel karantinën, 15 vite burg të përdhosësh Kodin Penal. Ai që vjedh, ai meriton jo 15, por 35 vite burg.
Qeveria po vjedh, kanë dalë në media raste flagrante, të ministrisë së Shëndetësisë, të Arben Ahmetajt dhe të ministreve të tjera. Janë lëshuar, duke bërë tendera sekrete, me 24 orë afat. Po të ishte puna për të bërë ligje speciale me drejtësi sociale, bëhen për këtë kategori. 5 ditë më parë, më erdhi një mesazh që ‘këtu në spital ku jemi, nuk kemi ujë 48 orë’. Më përshkroi një gjendje që unë nuk e besova dhe nuk e publikova, i kërkoj ndjesë.
Por kur dëgjova Z. Riza, e falenderoj për intervistën që dha, ajo është e tmerrshme. Ajo është që t’i sjellësh që t’i vdesë virusi aty. Ata kanë nevojë për imunitet. Në vend që të mendosh si të mobilizosh për ta, si i vë regjim urie? U turpërova me veten se unë nuk i besova mesazhit të parë”, tha Berisha.
Më tej ai ka folur për kushtet e Infektivit në kohën kur ai ishte vetë kryeministër.
“Unë nuk mund të them për Infektivin sepse për një kryeministër ekziston shëndetësia, por unë kam bërë qindra milion euro investime në aparatura në spitale, nga Tirana gjer në Gjirokastër, Elbasan, etj. Në një situatë të jashtëzakonshme, do bëja gjithçka që atyre të sëmurëve t’ua lehtësoja sëmundjen”,tha Berisha.