Dënohet me burg ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy  

schedule14:28 - 1 Mars, 2021

schedule 14:28 - 1 Mars, 2021

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është dënuar me tre vjet burg për korrupsion. Sarkozy, do të kryejë vetëm 1 vit të dënimit, pasi 2 janë pezulluar.

Ish-presidenti u shpall sot fajtor nga një gjykatë në Paris. Sarkozy, i cili ishte president nga 2007 në 2012, mohoi vendosmërisht të gjitha akuzat kundër tij gjatë gjykimit 10-ditor që u zhvillua në fund të vitit të kaluar.

Politikani 66-vjeçar dyshohet se është përpjekur të marrë në mënyrë të paligjshme informacion nga një magjistrat i lartë në 2014 në lidhje me një veprim ligjor në të cilin ai ishte përfshirë.

Ish-Presidenti i kishte ofruar një punë prestigjioze në Monako gjyqtarit në këmbim të informacionit në lidhje me një hetim penal rreth partisë së tij.

Gjykata tha se Sarkozy do të ketë të drejtë të kërkojë të mbahet në shtëpi me një byzylyk elektronik. Ish-presidenti pritet të apelojë.

Sarkozy është kështu i pari personalitet i lartë i shtetit francez që merr një dënim të tillë. Më herët ish presidenti i ndjerë Jacques Chirac, u shpall fajtor në 2011 për keqpërdorim të parave publike dhe iu dha një dënim me pezullim për dy vjet për veprime gjatë kohës së tij si kryebashkiak i Parisit.

Sarkozy pritet gjithashtu të dalë në gjyq për një tjetër çështje, nga 17 mars deri më 15 prill, e cila lidhet me të ashtuquajturën çështje “Bygmalion”. Sarkozy akuzohet për mashtrim në fushatën e tij presidenciale në 2012.

Ai shërbeu si president që nga viti 2007, por gara e tij për rizgjedhje në 2012 rezultoi e pasuksesshme. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!