Paulo Dybala, Weston McKennie dhe Artur Melo nuk janë grumbulluar me kombëtaret e tyre dhe kanë përfituar të organizojnë një festë në shtëpinë e mesfushorit amerikan.
Festat private nuk lejohen në periudhë pandemie, teksa Italia aplikon orën policore nga 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Fqinjët e McKennie lajmëruan policinë, që zbarkoi menjëherë në shtëpinë e 22-vjeçarit nga Teksasi.
Tre bardhezinjtë u gjobitën me nga 400 euro, por mund të marrin një tjetër gjobë nga drejtuesit e Juventusit. Dybala, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar prej datës 11 janar, ka kërkuar ndjesë me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“E di që në një moment kaq të vështirë që po kalon njerëzimi për shkak të koronavirusit, do të ishte më mirë të mos gaboja. Por, unë kreva një gabim duke qëndruar jashtë shtëpisë time për darkë.
Nuk organizuam festë, por, gjithsesi, unë gabova dhe i kërkoj falje të gjithëve“, shkruan fantazisti i kampionëve të Italisë.
Çfarë rrezikojnë tre lojtarët? Një gjobë e kripur është e paevitueshme, por trajneri Pirlo mund të vendosë të mos i grumbullojë për sfidën e radhës në kampionat, derbin e së shtunës (18:00) kundër Torinos. /abcnews.al