Denaj: Agroturizmi, kombinimi perfekt i bujqësisë me turizmin, fuqizon familjet në zonat rurale

schedule12:13 - 28 Korrik, 2024

schedule 12:13 - 28 Korrik, 2024

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë prezantimit të saj në Kongresin e Partisë Socialiste, u shpreh, se 6 vite më parë në Shqipëri numëroheshin vetëm 10 agroturizma, ndërsa sot ka më shumë se 260 të tillë.

Sipas Denaj, agroturizmi është kombinimi perfekt i bujqësisë me turizmin , i familjes me sipërmarrjen , i fermerit me tregtarin, i mikpritjes emocionuese me produktet cilësore ushqimore shqiptare, të cilat sot kanë marrë një jehonë në mediat ndërkombëtare.

“Agroturizmi si njësi ekonomike është në fokus të zhvillimit ekonomik në mandatin tonë të 4 qeverisës, kjo falë një objektivi të qartë për të fuqizuar familjet në zonat rurale e per të zhvilluar më tej këto njësi për të rritur mirëqënien e tyre”, u shpreh Denaj.

Një agroturizëm sot angazhon më shumë se 25 familje dhe janë 11 hektar tokë të punuar, duke ruajtur kështu farat autoktone, e duke ndjekur një protokoll cilësor brenda standarteve të BE, por njëkohësisht agroturizmi sot është kthyer në një model të suksesshëm të punësimit të shumë të rinjëve, grave të cilat sot i kanë dhënë një vlerë më të shtuar mikpritjes shqiptare , tha Denaj në fjalën e saj në Kongresin e socialistëve.

“Sigurisht që shëmbujt e suksesit janë pafund në Shqipërinë tonë nga veriu në jug , nga Tropoja në Konispol, nga Vermoshi në Përmet , ne kemi shembuj suksesi, ku ata që më parë kanë punuar në emigracion janë kthyer, e kanë gërshetuar dijen në tokë të huaj me dashurinë e tokës së etërve të tyre, theksoi Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural.

Duke iu drejtuar socialistëve, Denaj tha, se kjo është një rrugë pa kthim, që vetëm qeveria socialiste mund ta zhvillojë këtë zhvillim eksponencial në 4 vitet e ardhshme . “Janë më shumë se 260 agroturizma sot, por ne synojmë 1000 agroturizma në 2030 të një cilësie fantastike ndërkombëtarisht të njohur , ku absolutisht punësimi i të rinjëve, të rejave dhe të gjithë zonave rurale do të jetë një fakt”, u shpreh Denaj, duke e mbyllur fjalën e saj me vlerësimin, se brandi shqiptar do të marrë vlerën që meriton puna dhe djersa e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!