Qeveritë në Estoni dhe Finlandë thanë në dy njoftime të ndara se do të mblidhen për takime të jashtëzakonshme të entjen, ndërsa hetuesit estonezë dhe finlandezë po përpiqen të zbulojnë se kush qëndron pas dëmtimit të një kablloje elektrike në Detin Baltik që lidh të dyja këto vende.
Për riparimin e kabllos së interkonjeksionit ‘Estling 2’ me një gjatësi prej 170 kilometrah duhen muaj dhe ndërprerja e furnizimit përmes kësaj linje mund të shkaktojë probleme në furnizimin me energji gjatë dimrit, tha operatori finlandez ‘Fingrid’ në një deklaratë.
Policia dhe mediat njoftojnë se autoritetet finlandeze kanë ndaluar një anije të lidhur me Rusinë me emrin ‘Eagle S’, ndërsa po zhvillohen hetime nëse ajo dëmtuar kabllon e energjisë në Detin Baltik dhe disa kabllo të të dhënave.
Linja “Estlink-2” ndaloi së funksonuari pak pas mesditës të së mërkurës. Zyrtarët shprehën shqetësimin se ky mund të jetë një sulm tjetër i ngjashëm me incidentet që dëmtuan dy kabllo të dhënash në nëntor dhe shpërthimi që dëmtoi tubacionin e gazsjellësit ‘Nord Stream’ në shtator të vitit 2022.
“Megjithëse është kohë festash, shumë njerëz në Estoni dhe Finlandë kanë punuar gjatë dy ditëve të fundit për të identifikuar problemin e ndërprerjes së linjës Estlink-2″, tha Kryeministri estonez Kristen Michal në rrjetin X, ndërsa shtoi se “qeveria ime do të mbajë një takim të jashtëzakonshëm këtë pasdite. Jemi në kontakt të ngushtë me kolegët tanë baltiko-veriorë”.
Dy kabllo për transferimin e të dhënave, njëra që kalonte mes Finlandës dhe Gjermanisë dhe një tjetër që kalonte mes Lituanisë dhe Suedisë, u dëmtuan në nëntor.
Ministri gjerman i Mbrojtjes tha se zyrtarët duhej të supozonin se ky incident ishte “sabotim”, por ai nuk dha ndonjë provë dhe nuk tha se kush mund të ishte përgjegjës.
Komenti i tij erdhi gjatë një diskutimi mbi kërcënimet e luftës hibride nga Rusia.
Tubacionet ‘Nord Stream’, që dikur transportonin gaz natyror nga Rusia tek Gjermania, u dëmtuan nga një shpërthim nënujor në shtator të vitit 2022. Autoritetet e kanë cilësuar këtë incident si sabotim dhe kanë nisur hetimet kriminale.
Linja ‘Estling-2’ ishte jashtë funksionit gjatë pjesës më të madhe të vitit, për shkak të disa riparimeve të dëmeve që mund të jenë shkaktuar nga pozicionimi kompleks i linjës, tha televizioni ERR.
Operatori i rrjetit estonez të furinizimt me energji ‘Elerin’ tha se ka kapacitete të mjaftueshme rezervë për të përmbushur nevojat e vendit, njoftoi televizioni publik ERR në faqen e tij të internetit./VOA