Formën e ka pasur mjaft të mirë.
Berat Gjimshiti po e ndihmonte ekipin e tij, Atalanta, që të ngrinte kokë në Serinë A, por pikërisht në momentin më të bukur erdhi një goditje e fortë.
Kapiteni I kombëtares shqiptare pësoi dëmtim në sfidën e kampionatit në shtëpi ndaj Torinos, që bergamaskët e fituan 2-0.
Ishte minuta e 42-të, kur mbrojtësi mbeti përtokë pas një përplasjeje me një futbollist rival, dhe më pas u largua nga fusha.
Problemet ishin aq të mëdha, saqë u nxorr me barrellë dhe menjëherë u dërgua në spital.
Për fat, vizita e parë tregoi se nuk ka thyerje apo krisje në kockat e legenit, por lëndimi është muskulor.
Mediat italiane shkruajnë se Gjimshiti ka probleme me muskujt e barkut, por duhet të ketë vizita më të specializuara në ditët në vazhdim për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e riaftësimit.
Sipas mediave si “Il Korriere dela Sera” apo “Sportmediaset”, lëndimi duket serioz, ndonëse shpresohet që mungesa të mos jetë aq e gjatë sa të rrezikojë ndeshjet e kombëtares në fund të muajit mars në plej ofin e Kupës së Botës, fillimisht në 26 të atij muaji, në Varshavë ndaj Polonisë./abcnews.al


