Policia e Beratit ka njoftuar se është proceduar penalisht një 34-vjeçar dhe është shpallur në kërkim një 61-vjeçar, pasi në subjektet e tyre tregtare, u gjetën pllaka guri dekorative, të cilat dyshohet se janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme në Malin e Tomorit, zonë kjo e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Ndërkohë policia njofton se në një prej aktiviteteve janë konstatuar dhe dy punonjës të pasiguruar.
Tashmë dy personat e proceduar penalisht akuzohen për, “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe” Punësim i paligjshëm”.
Njoftimi i policisë:
Vijon kontrolli për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit.
Procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, pasi ushtronin aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative në mënyrë të kundërligjshme.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të nxjerrjes së pllakave të gurit në Malin e Tomorit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar filloi procedimi penal ndaj shtetasit A. B., 34 vjeç, banues në Poliçan, administrator i subjektit Arseo sh.p.k i cili është me masë sigurimi “Arrest në shtepi” dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administrator i subjektit Klerajdi sh.p.k
Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektet e këtyre shtetasve u gjetën pllaka guri dekorative, të cilat dyshohet se janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjëshme në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Gjithashtu, në subjektin me administrator shtetasin A. B. janë konstatur dhe dy punonjës të pasiguruar.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe” Punësim i paligjshëm”.
n.d./abcnews.al