Demokratët ultimatum Mike Pence për të hequr Trump nga Shtëpia e Bardhë

schedule09:50 - 11 Janar, 2021

schedule 09:50 - 11 Janar, 2021

Kaosi që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shokuar liderët botërorë. Mbështetësit pro Donald Trump u futën brenda Kongresit Amerikan teksa po zhvillohej seanca për certifikimin e njohjes së rezultatit të zgjedhjeve ku fitoi demokrati Joe Biden.

Donald Trump reagoi duke u bërë thirrje protestuesve që të tërhiqen, por përsëriti disa herë që zgjedhjet janë vjedhur.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve  Nancy Pelosi ka rritur presionin ndaj Zëvendës Presidentit Mike Pence për të larguar Donald Trump pas sulmeve që ndodhën në Kapitol.

Ligjvënësit demoktatë po nxisin zv/Presidentin amerikan Mike Pence që të zbatojë Amendamentin e 25 kundër Presidentit Donald Trump.

Por çfarë është Amendamenti 25? Ky amendament lejon zv/presidentin amerikan që së bashku me një shumicë të zyrtarëve të lartë të deklarojnë Presidentin të paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrat e tij, e në këtë mënyrë i merr pushtetin.

Përpjekjet për ta mbajtur Presidentin Donald Trump përgjegjës për rolin e tij në nxitjen e turmës që sulmoi Kapitolin të mërkurën morën vrull të shtunën, me anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve që njoftuan se do të parashtrojnë nenet e fajësimit duke filluar që nga e hëna.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kolegët e saj kërkojnë që presidenti të hiqet nga detyra para se mandati i tij të mbarojë më 20 janar, edhe pse Senati i udhëhequr nga Republikanët nuk ka gjasa të bjerë dakord.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të ngrejë akuza për fajësimin e presidentit, për herë të dytë, kjo do të pasohej nga një gjykim në Senat, i cili e ka hequr nga akuzat një herë më parë presidentin Trump dhe do të jetë në pushim deri më 19 janar. Demokratët do të marrin kontrollin e Senatit më vonë këtë muaj .

Pence nuk është përgjigjur por është njoftuar se u ka thënë kolegëve të tij se ai nuk e favorizon një veprim të tillë.

A do të largohet Trump ?

James Clyburn, një tjetër demokrat i lartë, tha për CNN se partia mund të mos dërgojë ndonjë rezolutë në Senat pas 100 ditëve të para të Biden në detyrë.

Kjo do të lejojë Biden të formojë kabinetin e tij të ri dhe të fillojë politikat kyçe duke përfshirë situatën e krijuar nga koronavirusi. Asnjë senator republikan nuk ka thënë se  do të votojnë për të  shkarkuar Trump.

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët e kanë hedhur poshtë  diçka të tillë.

Biden ka thënë që për këtë duhet të vendosë Kongresi, edhe pse ai ka menduar “për një kohë të gjatë Presidenti Trump nuk ishte i aftë të mbante detyrën”./abcnews.al