‘Demokratët s’mund të përfaqësohen nga parti të majta’, Bejko: PD, e vetmja e djathtë për bashkinë e Tiranës

schedule14:14 - 28 Mars, 2023

schedule 14:14 - 28 Mars, 2023

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko në një deklaratë për mediat së bashku me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se nuk mund ta pranojë që e djathta të përfaqësohet nga një parti e majtë duke iu referuar kështu koalicionit Berisha-Meta.

“Unë nuk mund të pranoj, ne të gjithë nuk mund të pranojmë, që Partia Demokratike, e djathta shqiptare në tërësi të përfaqësohet nga parti të majta të kamuflura si të djathta, që gjatë gjithë historisë së tyre politike kanë bërë pazare në kurriz të demokratëve dhe kanë përfituar prej tyre. Unë nuk mund të pranojë që e djathta shqiptare të përfaqësohet nga lëvizje politike të cilat janë në izolim total ndërkombëtar.

Ky do të ishte një turp dhe fatkeqësi për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të djathtës në Shqipëri. Vokacioni i saj, arsyeja se përse kjo forcë lindi ishin pikërisht vlerat perëndimore dhe aleanca historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vlera të cilat, njerëz dhe politikan të caktuar për interesat e tyre personale kërkojnë ti shkelin, duke e kthyer të djathtën shqiptare në një fole anti-perëndimore në Shqipëri”, tha ai.

Më tej, Bejko shtoi se alternativa e PD zyrtare është e vetmja alternativë e djathtë për Bashkinë e Tiranës.

“Gjatë fushatës do të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë ne komunikimin e me njerëzit. Pasi ky është karakteri im. Unë nuk di të jem ndryshe. Gjatë ditëve në vazhdim do të bëjë të ditur të gjithë vizionin dhe planin tim për Tiranën. Por sot mund t’ju them një gjë qytetarëve të saj. Është një vizion qartësisht i djathtë, i cili bazohet te ndershmëria, meritokracia dhe vlerat me të mira njerëzore. Besoj se alternativa e Partisë Demokratike për Tiranën është e vetmja alternativë e djathtë. Të gjitha të tjerat janë qartësisht të majta në mendësi, në histori dhe në kulturë.“, tha ai./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!