Nga Roland Lami
Nju Jorku ka zgjedhur për herë të parë një kryetar bashkie mysliman. Demokrati Zohran Mamdani fitoi garën kundër ish-guvernatorit Andrew Cuomo dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa. Në një gjest që nderon vetë frymën e demokracisë, Sliwa e uroi kundërshtarin për fitoren dhe pranoi humbjen pa hezitim.
Në politikën shqiptare, fjala “urime” ka fatin e keq të jetë keqpërdorur ose harruar. Ajo del nga goja vetëm kur mikrofoni është i fikur dhe kamerat janë larg. Në publik, humbësi nuk uron, ai denoncon. Fituesi nuk falënderon, ai triumfon.Është një koreografi e njohur, ku gjithçka duket demokratike, por asgjë nuk është të paktën sportive.
Në teori, demokracia është një lojë e rregulluar e konkurrencës, një fushë ku humbja është po aq legjitime sa fitorja. Në praktikën e politikës shqiptare, ajo është një mitologji e nderit politik, ku humbja nuk është rezultat, por turp. Max Weber do ta quante mungesë të “etikës së përgjegjësisë”; ne e quajmë thjesht mungesë të dinjitetit për të pranuar realitetin.
Këtu, çdo palë politike është si një skuadër që futet në ndeshje me bindjen se arbitri është i blerë.Dhe kur mbaron loja, rezultati është gjithmonë i gabuar. Asnjë humbje nuk pranohet, asnjë fitore nuk është e pastër. Demokracia kthehet në një ndeshje që s’mbaron kurrë, sepse askush nuk pranon bilbilin e fundit.
Kjo nuk është thjesht kulturë politike është psikologji kolektive. Ne nuk kemi ndërtuar konceptin e kundërshtarit legjitim kemi trashëguar figurën e armikut. Ndaj, urimi për fitoren nuk është akt qytetar, por blasfemi ideologjike. Humbësi që thotë “urime” rrezikon të përjashtohet si tradhtar nga tabori i vet. Kështu, më mirë të akuzosh sesa të pranosh; më mirë të shpallësh “komplot” sesa të pranosh humbje.
Në këtë teatër politik, përgjegjësia është si topi i nxehtë që askush nuk do ta mbajë. Humbëm? Faji është i numërimit, i qeverisë, i motit, i diasporës, i algoritmit të KQZ-së. Askush nuk pyet veten nëse ndoshta, thjesht ndoshta, njerëzit nuk u bindën.Sepse pranimi i fajit është luks moral që politika shqiptare nuk mund ta përballojë. Ajo jeton me parimin e pathënë: “Fajtor është gjithmonë tjetri.”
Në këtë kuptim, urimi i kundërshtarit është prova më e lartë e qytetarisë demokratike dhe pikërisht për këtë arsye, mbetet gjesti më i rrallë. Ai kërkon pjekuri, jo retorikë; karakter, jo strategji. Dhe ky është luks që politika jonë nuk e njeh, sepse ajo ende ushqehet me mitin e “fitores së përjetshme”.
Derisa të vijë dita kur ndonjë politikan shqiptar të ngjitet në podium e të thotë:“Humba. Jo sepse më vodhën, por sepse nuk binda njerëzit.”atëherë mund të themi se kemi hyrë më në fund në epokën e përgjegjësisë.
Deri atëherë, do të vazhdojmë të shohim humbës që shpallen fitues dhe fitues që sillen si viktima një demokraci e fjalëve të mëdha dhe gjesteve të vogla, ku urimi është më i vështirë se fitorja vetë.

