Demokracia është në telashe, dhe samiti i Joe Biden nuk do t’i ndreqë dot ato

schedule10:28 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 10:28 - 10 Dhjetor, 2021

Nga Aleksandar Hemon, Aida A.Hozic & Srdjan Vucetic “Politico.eu

Në këtë kohë të vitit, Sarajeva zakonisht mbulohet nga smogu i dendur. Qyteti ndodhet në një luginë e cila rrethohet nga malet, ku tymi dhe ndotja që prodhohen nga nafta që përdorin kaldajat për ngrohje dhe makinat thjesht nuk ka se ku të shkojë.

Dhe kur smogu bie mbi kryeqytet, dukshmëria në rrugë është minimale. Aeroporti mbyllet, pasi bie errësira të ngasësh makinën bëhet e vështirë. Banorët qëndrojnë brenda, sikur të ishin në izolim. Minaret dhe kulmet e kishave të Sarajevës, kulla e saj e famshme e sahatit, dhe bashkia e ndriçuar e qytetit, shkëlqejnë me madhështi në errësirën që sundon përreth, duke u dukur si të vendosura në një univers alternativ dhe jo në zemër të Evropës.

E megjithatë, këtë vit smogu nuk po ndalon një sërë emisarësh të huaj që vijnë e shkojnë. Aktualisht ka një frikë në rritje se kriza e zgjatur politike e Bosnjës – produkt i një strukture institucionale të dobët të krijuar nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit, dhe i nacionalizmit të vazhdueshëm agresiv nga ana e udhëheqjes së vendit – mund të çojë në shpërbërjen e saj ose në një luftë tjetër.

Emisarët e shqetësuar përpiqen që të bisedojnë me vendasit e Bosnjës, duke u ofruar atyre “karota” dhe “shkopinj” për të qëndruar në të njëjtën rrugë jofunksionale etno-nacionaliste, dhe për t’i shtyrë grindjet e tyre të vogla derisa të ndodhë cikli i ardhshëm zgjedhor në qendrat kryesore metropolitane të botës.

Por të gjithë këta të dërguar e dinë se Bosnja nuk është e vetmja në këtë situatë. Telashet po shfaqen në mbarë Ballkanin. Tensionet po vërehen në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, dy anëtarët më të rinj të NATO-s.

Kosova dhe Serbia nuk janë pranë ndonjë marrëveshje për statusin sovran të së parës. Edhe vendet fqinje të Bashkimit Evropian – Sllovenia, Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe natyrisht Hungaria – po heqin gjithnjë e më shumë dorë nga pretendimi për t’u bërë partnerët e besueshëm demokratikë, që thonë se duan në rajon Brukseli dhe Uashingtoni.

Kështu, kur ishin në Sarajevë emisarët mbulonin hundët nga shqetësimi se smogu me të cilin po përballeshin, mund të ishte“diçka e frikshme ballkanike, që mbante erë”, e cila tashmë ka krijuar mjaft telashe për botën e qytetëruar së cilës ata mendojnë se i përkasin.

Por Ballkani nuk është në themelin e problemeve aktuale të botës. Thirrjet etnocentrike, raciste ndaj nacionalizmit po ziejnë kudo nën “sipërfaqen” e demokracive. Këtu nuk bëjnë përjashtim as vendet që janë mbledhur për Samitin e parë për Demokracinë të presidentit të SHBA-së Joe Biden.

Në këtë samit, pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende demokratike do të mbajnë fjalime kryesisht të parashikueshme për “formën më të keqe të qeverisjes, me përjashtim të të gjitha të tjerave”, dhe nevojën që aleatët demokratë ta dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të bëjnë më mirë në të ardhmen.

I miratuar herët nga menaxherët e fushatës presidenciale të Biden, Samiti për Demokraci supozohej të ishte një ndërmarrje relativisht e sigurt. Dikur, si republikanët po ashtu edhe demokratët ranë dakord që vendet demokratike duhet të punojnë së bashku për të ofruar të mira publike ndërkombëtare.

Ish-presidenti Bill Clinton, Sekretaret e Shtetit Madeleine Albright dhe Hillary Clinton si dhe senatori John Mçain, kishin shprehur interes për një “ligë”apo një “komunitet” të demokracive, siç kishin bërë edhe disa këshilltarë të politikës së jashtme të ish-presidentit Barack Obama.

Edhe senatori Bernie Sanders ka folur mbi nevojën e një“lëvizje demokratike globale”. Por samiti i Biden tani po përballet me kritika nga të gjitha drejtimet, sidomos kur diskutohet se  kush është ftuar të marrë pjesë në të. Bosnje Hercegovina nuk është përfshirë në këtë samit.

Ai është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor i lënë jashtë listës, ndërsa vende si Serbia dhe Kroacia që luftuan aq shumë për ndarjen e Bosnjës janë të mirëpritura në të. Ndoshta delegatët e tyre, së bashku me ata nga Polonia dhe Filipinet “ku demokracia po bën hapa prapa”, do të na reagojnë se çfarë do të thotë në të vërtetë demokracia.

Por edhe vetë organizatori i këtij samiti ka jo pak probleme në shtëpi. Tek e fundit, kjo mbledhje po zhvillohet në një kohë kur vetë krahu i djathtë në SHBA është shumë i ndarë në lidhje me përfitimet që sjell demokracia liberale.

Shumë konservatorë mendojnë se identiteti kombëtar multi-racor dhe multikulturor i Amerikës është thjesht një iluzion i radhës që duhet hedhur poshtë, dhe Kushtetuta e Amerikës një pengesë optike që duhet kapërcyer.

Përballë valës globale në rritje të autoritarizmit, qasja e zakonshme taktike e Joe Biden – shmangie e përplasjes ballore me synim pasjen e një uniteti të rremë – nuk është vetëm moralisht e gabuar, por edhe kundër-produktive në aspektin politik.

Në rast se Biden nuk ndryshon qëndrim, dhe nuk kupton se ka në dorë luftën për mbijetesën e qeverisjes demokratike, Samiti i tij i dytë për Demokracinë, do të zhvillohet në një mjedis shumë më sfidues, si në SHBA po ashtu edhe kudo tjetër.

30 vjet më parë, SHBA-ja dhe Evropa patën një shans për të parandaluar dhe më pas ndaluar luftën në Jugosllavi dhe Bosnje Hercegovinë. Në vend të kësaj, ata zgjodhën strategjinë e frenimit dhe çmimi ishte gjenocidi.

Nëse SHBA dhe BE shqetësohen realisht për demokracinë dhe për të ardhmen e tyre, ata duhet ta kuptojnë se bota po përgatitet për një konflikt të madh, ardhjen e të cilit njerëzit në Ballkan, që janë jo shumë familjarë me fantazitë për demokracitë e përjetshme, e kanë mësuar qët a shohin dhe njohin shumë kohë më parë se sa diplomatët perëndimorë që “shkëlqejnë” me strategjinë e tyre të “frenimit” të konflikteve.

Në rast se SHBA dhe BE, dhe të gjithë ata që janë të gatshëm ta lavdërojnë demokracinë për audiencën e zgjedhur të presidentit Joe Biden dhe këshilltarëve të tij, janë sadopak seriozë, ata duhet të mbështesin në mënyrë agresive forcat demokratike progresive në Amerikë, Bosnje dhe kudo, pasi nesër do të jetë shumë vonë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Aleksandar Hemon, profesor i shkrimit krijues në Universitetin Prinstonit SHBA. Aida A.Hozic, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Floridës, SHBA. Srdjan Vucetic, profesor i çështjeve publike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Otavës, Kanada.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!