Demiri e mbyll me Shkupin, Junior do largimin nga Shkëndija

schedule12:12 - 27 Dhjetor, 2019

schedule 12:12 - 27 Dhjetor, 2019

Zhvillime në Maqedoninë e Veriut, te Shkupi dhe Shkëndija e Tetovës. Klubi kryeqytetas ka humbur Ertan Demiri, i cili kishte pozicion drejtues dhe i ishte ngarkuar përzgjedhja e elementëve të rinj. Ish-mesfushori, i cili ka luajtur në Superiore me Partizanin, e ka njoftuar diçka të tillë përmes llogarisë së tij në “Facebook”.

“Me marrëveshje te dyanshme vendosëm që të ndërpresim bashkëpunimin me FC Shkupin. Ishte privilegj dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj skuadre për 18 muaj. Ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim”, shkruan Demiri.

Nga ana tjetër Shkëndija mund të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të viteve të fundit, brazilianin Stenio Junior. Mediat në vendin fqinj raportojnë se 28-vjeçari ka kërkuar largimin nga kuqezinjtë.

Kontrata e tij përfundon në qershor dhe drejtuesit e klubit duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë. Sulmuesi i afruar në vitin 2014 është një nga lojtarët e mirëpaguar dhe për tetovarët që po shohin të ulin shpenzimet është një moment i mirë për të shtrënguar duart me brazilianin. /abcnews.al