Që prej ditës së djeshme Turqia është në “vuajtje” pasi një tëmet me magnitudë 7.8 ballë, i ndjekur nga më shumë se 40 pasgoditje kanë “shkundur” vendin, duke lënë pas më shumë se 5 mijë njerëz të pajetë e më shumë se 20 mijë të tjerë të plagosur.
Me gjithë botën në përkrahje të Turqisë dhe vendeve të prekura nga tërmeti katastrofik, mbrojtësi i Atalantës dhe Kombëtares turke, Merih Demiral ka vendosur të nxjerrë në ankand një fanellë të Cristiano Ronaldos e nënshkruar nga vetë “luzitani”.
“Sapo fola me Cristianon. Ai tha se ishte shumë i trishtuar për atë që ndodhi në Turqi. Ne po nxjerrim në ankand një bluzë të nënshkruar nga Ronaldo nga koleksioni im. Të gjitha të ardhurat nga ankandi do të dhurohen dhe përdoren në zonën e tërmetit”,- mësohet të ketë njoftuar mbrojtësi i Atalantës dhe Kombëtares së Turqisë.
Ndërkaq, ende nuk është bërë me dije se sa do të jetë shifra me të cilën do të nisë ankandi. /i.m /abcnews.al