Del video, momenti i vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj

schedule22:47 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 22:47 - 14 Dhjetor, 2020

Emisioni Uniko në Klan Plus transmeton për herë të parë pamjet ekskluzive të vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha në orët e para të mëngjesit të datës 8 Dhjetor në kryeqytet. Në këto pamje të fiksuara nga këndi i një kamere, duken lëvizjet e Klodian Rashës dhe të patrullës policore që mbërrin në rrugën “Dritan Hoxha”.

Ora shënon 01:10:29 e mëngjesit kur Klodian Rasha qëndron i mbështetur tek pema në anë të rrugës kryesore “Dritan Hoxha”, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Pak sekonda më vonë, aty shfaqen dy vajza të cilat kalojnë në trotuar pranë 25-vjeçarit Rasha, por që nuk kanë lidhje me ngjarjen.

Në orën 01:11:27 mbërrin nga Lapraka një makinë private dhe pas saj direkt patrulla e policisë. Në orën 01:11:32 Klodian Rasha fillon të lëvizë pasi konstatoi praninë e policisë.

Në orën 01:11:39, efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj del nga makina së bashku me kolegun e tij, ndërsa Klodian Rasha fillon të shpejtojë hapat dhe të largohet në anën tjetër të rrugës. Menjëherë, efektivi i policisë vihet në ndjekje të tij në këmbë. Ora shënon 01:11:47.

Ora 01:12:28, në anën tjetër të rrugës duket në kamera punonjësi i policisë. Nevaldo Hajdaraj vijon ndjekjen me vrap të Klodian Rashës. Në ndihmë i shkon edhe kolegu i tij i policisë.

Në orën 01:13:13 shfaqen Klodian Rasha dhe një prej punonjësve të policisë duke vrapuar.

Ora shënon 01:14:27, është momenti kur polici qëllon me pistoletë. Ai ndodhet në rrugicën pranë banesës së Klodian Rashës.

Në orën 01:14:35 shfaqet polici Nevaldo Hajdaraj që hyn në rrugicë.

Ora 01:14:50, shoferi i makinës private që kishte ndaluar para makinës së policisë, del nga mjeti për të parë çfarë kishte ndodhur pak sekonda pasi dëgjoi të shtënat me armë zjarri.

Në orën 01:15:01, në hyrje të rrugicës shfaqet kolegu i Nevaldo Hajdaraj, efektivi me inicialet E.GJ.

E gjithë ngjarja në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!