Deklarimi i të ardhurave personale/ Çabej shpjegon se çfarë përfshin dhe ndryshon në deklarimin e DIVA këtë vit

schedule14:32 - 14 Janar, 2025

schedule 14:32 - 14 Janar, 2025

Nga 1 janari 2025, të gjithë individët që kanë realizuar të ardhura bruto më shumë se 1.2 milionë lekë në vit janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën individuale të vitit 2024 brenda 31 Marsit 2025.

Përveç ndryshimit të afatit të plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës, me hyrjen në fuqi të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ulet edhe pragu i detyrimit për deklarim për të punësuarit në Shqipëri.

Alketa Çabej nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se nëse nuk plotësohet brenda kësaj date ka penalitete.

“Janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën individuale të gjithë tatimpaguesit që kanë të ardhura nga të gjitha burimet me prag mbi 1.2 milionë lekë. Ndryshimi tjetër është afati i dorëzimit të deklaratës. Deklaratativa nuk do të dorëzohet më në prill 2025, por afati maksimal është 31 mars. Pas kësaj date, penalizohen me 3 mijë lekë për mosdorëzimin në afat të kësaj deklarate. Nëse rast se deklarata rezulton me detyrime, do të marrin edhe penalitete të tjera.”, u shpreh ajo.

Këtë deklaratë do ta dorëzojnë edhe të dypunësuarit dhe ata që kanë të ardhurat mbi 50 mijë lekë në muaj për të cilët nuk kanë  paguar tatim. Çfarë përfshin DIVA?

“Janë të tëra të ardhurat personale që përfiton një individ. Janë dy kategori, individët rezidentë në Shqipëri që janë të detyruar kur kanë të ardhura bruto vjetore 1.2 milionë lekë nga të gjitha burimet nga pagat, dividenti, lojërat e fatit, fitimet e kapitaleve, tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme. Pra, të tëra burimet që janë të ardhura personale, përfshirë edhe të ardhurat me burim jashtë republikës së Shqipërisë. Rubrikat respektive për të ardhurat bruto nga paga, tatimi që është paguar gjatë vitit janë rubrika të paraplotësuara me qëllim për të mos gabuar individët deklarues në mosplotësimin e njërës nga rubrikat ose tatimit të llogaritur personal ose tatimit të paguar, gjë që sjell që deklaratat të jenë gabim dhe individi mund të rezultojë ose me gjendje kreditore por në asnjë rast tatimi mbi të ardhurat nga pagat nuk del me gjendje kreditore. Nëse është i punësuar në më shumë se një punëdhënës ky individ ka për të paguar tatim me deklaratën vjetore individuale.“, shtoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!