Deklaratat e Vuçiç për mobilizimin e ushtrisë, PDIU: Apelojmë për reagim mbarëkombëtar

schedule18:39 - 29 Janar, 2021

schedule 18:39 - 29 Janar, 2021

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka shprehur shqetësimin për deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mobilizimin e ushtrisë, me pretekstin e problemeve që ka me Kosovën.

Në një komunikatë zyrtare PDIU, thekson se deklaratat e Vuçiç janë të papranueshme dhe aspak në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Deklaratat e fundit vijnë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ndaj janë të papranueshme dhe lipset të merren seriozisht nga vendet tona mike në BE dhe NATO, pa kaluar në një spirale të përshkallëzimit verbal dhe faktik mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet mes të tjerash, ndërsa apelon për një reagim mbarëkombëtar .

Deklarata e plotë:

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh shqetësimin e saj në lidhje me deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për militarizimin e mëtejshëm të ushtrisë serbe me preteksin “e problemeve që Serbia ka në Kosovë”.

 Sjellim në vëmendje që ishte po presidenti i Serbisë që vetëm dy muaj më parë bënte krahasime të rrezikshme mes Kosovës dhe konflikit të Nagorno-Karabakut duke aluduar se “lufta mund të shpërthejë edhe nga konflikte të ngrirë”.

 Deklaratat në vijimësi të presidentit serb janë të papranueshme dhe aspak në dobi të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ato hedhin në erë të gjitha zotimet që Serbia ka bërë nën garancinë e faktorit ndërkombëtar për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin e Rajonit.

Deklaratat e fundit vijnë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, ndaj janë të papranueshme dhe lipset të merren seriozisht nga vendet tona mike në BE dhe NATO, pa kaluar në një spirale të përshkallëzimit verbal dhe faktik mes Kosovës dhe Serbisë.

 PDIU vëren me pezm që ngjarjet politike të ditës në Shqipëri po eklipsojnë edhe çështjet kombëtare. Si forcë politike që është vazhdimisht në kontakt me partitë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, apelojmë për një reagim mbarëkombëtar, si dhe për zgjimin e politikës së jashtme të Shqipërisë për çështje të tilla të rëndësisë kombëtare.