Sot është afati i fundit për dorëzimin e deklaratës individuale te te ardhurave për vitin 2025. Sipas te dhënave te Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri më tani deklaratën vjetore e kanë plotësuar më shumë se 130 mijë individë.
Ndërkohë, shifra e pritshme sipas vlerësimeve është që të dorëzohet nga rreth 180 mijë individë. Kjo pasi këtë vit po aplikohet për herë të parë edhe zbritja tatimore për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore, nga të cilat përfitojnë jo vetëm individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë por edhe ata nën këtë shumë.
Detyrimin për të plotësuar deklaratën sipas administratës tatimore e kanë edhe individët që kanë realizuar të ardhura bruto vjetore 1.2 milionë lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, jo vetëm nga paga.
Po ashtu, deklarata plotësohet edhe nga individët e dypunësuar si dhe nga qytetarët që përfitojnë të ardhura nga platformat e rrjeteve sociale si Facebook, Instagram apo Youtube. Edhe individët që përfitojnë të ardhura nga qiratë përmes platformave Airbnb si dhe booking kanë detyrimin që të plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratën pranë Tatimeve.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, janë plotësuar gjithashtu mbi 91 mijë deklarata për të ardhurat personale nga biznesi, si dhe mbi 21 mijë deklarata për tatimin mbi të ardhurat e korporatës./abcnews.al


