Deklarata e re për të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB) ka hyrë në fuqi këtë vit dhe do të aplikohet për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2025. Për herë të parë, të ardhurat personale nga biznesi do të deklarohen përmes kësaj deklarate të re, e cila sjell më shumë qartësi, strukturë dhe detajim në raportimin e të ardhurave.
Deklarata e re TAPB është më e detajuar dhe më e qartë, duke ndarë saktësisht të ardhurat, shpenzimet dhe zbritjet tatimore, për një përllogaritje më të drejtë të tatimit.
Në pjesën e parë të deklaratës pasqyrohen të ardhurat nga punësimi dhe nga biznesi. Nëse të ardhurat e vitit 2025 deklarohen si të ardhura nga punësimi, nuk mund të plotësohen rubrikat për të ardhura nga biznesi dhe anasjelltas. Të ardhurat nga biznesi ndahen në të ardhura nga aktiviteti kryesor, aktivitete të tjera apo investime, përfshirë dividendë ose të ardhura të tjera.
Në pjesën e dytë përfshihen zbritjet tatimore, si fëmijët në ngarkim, shpenzimet arsimore, kontributet për pensione private, kur plotësohen kushtet ligjore.
Tatimpaguesit me qarkullim deri në 10 milionë lekë kanë mundësi të zgjedhin regjimin e veçantë të zbritjes së shpenzimeve, i cili llogaritet me përqindje të caktuara sipas aktivitetit dhe zbatohet për tre vite radhazi. Nga diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve përcaktohet fitimi ose humbja tatimore, mbi të cilën aplikohet tatimi përkatës.
Në rast se të ardhurat janë nga punësimi, tatimi është progresiv: 13% për të ardhurat deri në 2 040 000 lekë në vit dhe 23% për shumën mbi këtë nivel. Ndërsa për të ardhurat nga biznesi, normat tatimore në fuqi deri në vitin 2029 janë: 0% për të ardhurat deri në 10 milionë lekë, 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë, dhe 23% për fitimin mbi 14 milionë lekë.
Deklarata e re e tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi përfshin gjithashtu tatimin e huaj të mbajtur në burim dhe tatimin e shtyrë.
Afati për dorëzimin e deklaratës TAPB është deri më 31 mars 2026.


