Deklarata e Dervishit në ABC News, TKZ: E turpshme, FSHF distancohu!

schedule21:08 - 25 Shtator, 2019

schedule 21:08 - 25 Shtator, 2019

Shpërthejnë Tifozat Kuqezi. Shkak është bërë një deklaratë e Arben Dervishit, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. I ftuar në emisionin “Pressing”, drejtuar nga Gerti Çarçani, në ABC News, në një debat me ish-sekretarin e FSHF, Eduard Prodanin, ai foli në lidhje me çmimin e biletave dhe ajo çka ka thënë nuk u ka pëlqyer tifozëve.

Në fakt ajo që tha Dervishi nuk është normale: “Këtu i duan falas. 2-3 mijë lekë bën një kafe. Futbolli nuk është çështje halli, nuk vijnë hallexhinjtë”. Me FSHF-në që ende nuk kishte reaguar për këtë deklaratë, është TKZ që zgjohet dhe kërkon prej qeverisë së futbollit shqiptar që të mbajë qëndrim e të shohë politikat për çmimin e biletave. Sigurisht nuk mungon edhe sulmi frontal ndaj Dervishit.

DEKLARATA – Letër publike Federatës Shqiptare të Futbollit! Arben Dervishi deklaron se “futbolli nuk është për hallexhinjtë”. Ky copë mishi i veshur me petkun e njeriut, që kurrë në jetën e tij s’ka paguar biletë, por i ka marrë falas, fatkeqësisht është zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, institucion që propagandon e fton “hallexhinjtë” në stadium dhe që këtyre hallexhinjve ua shet biletat me çmimin e një finaleje të Ligës së Kampionëve.

Këta hallexhinjtë e japin edhe lekun e fundit që ta shohin Kombëtaren, lek të cilin e fitojnë me stërmundime dhe shumë djersë, e jo duke u servilosur e duke u lëpirë pas personave me pushtet apo grupeve të interesit.

Ftojmë Federatën që të distancohet nga këto deklarata të turpshme, fyese dhe përqeshëse, si dhe të rishikoj politikën e çmimeve sa më të arsyeshme për xhepin e qytetarit të rëndomte shqiptar (e jo të Dervishëve)”, shkruhet në qëndrimin e TKZ. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!