Kreu i Kadastrës, Artan Lame gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka hedhur akuza ndaj programit të Partisë Demokratike për pronat.
Sipas Lames, është marrëzi që të thuash se do anulosh ligjin 20/20, ndërsa nuk i ka kursyer edhe akuzat ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha duke thënë se po bën gënjeshtra për arsye elektorale.
“Është gënjeshtra më e madhe që i thuhet ish-pronarëve nga PD. Praktikisht po u thuhet qytetarëve që po presin ende legalizimin, do u ndërpritet legalizimi për kthimin tek pronarët. Kamëz, Bathore, Paskuqan ka shumë ndërtesa të zëna nga ndërtime pa leje, nuk i thua dot nuk e legalizojmë. Ligji 20/20 bëri pikërisht këtë gjë, për regjistrimin e tokës në fshat është mbyllur në tre institucione të vetme, kanë qenë dikur 20 institucione të ndryshme, sot janë në 8-ë. Premtohet kompensimi i pronave që do u merret oligarkëve. Përveçse është Robinudiane, nuk besohet se Luli do i marri pronat oligarkëve. Kjo është plani i PD, që s’thotë asgjë të re, thotë teorikisht do të vijojmë me të njëjtën rrugë dhe e dyta do heqim ligjin. Kjo nuk ndodh, edhe sikur të ndodhë ndonjë luftë e tretë botërore me fitoren e tyre, nuk ka rrugë për të zgjidhur problematikën.” ka thënë Lame.
Kreu i Kadastrës , foli edhe në lidhje me arritjet dhe objektivat që institucioni që ai drejton ka për katër vitet e ardhshme. Ai tha se sfidë aktuale e qeverisë mbetet regjistrimi i tokës në fshat.
“Kadastra në katër viteve në vijim ka katër sfida kryesore. Duke qenë se legalizimet nuk janë më sfida. E para është regjistrimi i tokës në fshat, në këtë pikë do të thoja diçka. 2020-ta u mbyll me shumë certifikata toke të lëshuara në fshat, sapo kishte hyrë ligji i ri por megjithatë u dhanë 18.700 certifikata. Në 2018-ën janë dhënë vetëm 8 mijë. Ky gjak që u derdh në të gjithë Shqipërinë, për sa ishte jo gjigante në raport me nevojat prodhoi një efekt të kundërt. Kadastra përmbytet në ankesat që vijnë nga fshati. Po ndodh ajo që ka ndodhur me legalizimet. Në momentin që filluam në mënyrë masive të bënim”, tha Lame. E.L/abcnews.al/