Deklarata e Bashës, Arion Sula: Ndërkombëtarët do reagojnë ashpër

schedule15:20 - 16 Mars, 2019

schedule 15:20 - 16 Mars, 2019

Arion Sula kryeredaktor i “Gazeta Liberale” për ABC News ka folur për protestë që organizoi sot opozita. Ai është shprehur se Basha në fjalën e tij mbyllëse u është drejtuar drejtpërdrejt ndërkombëtarëve. Sipas tij këta të fundit pritet të kenë një reagim të ashpër, pas thirrjes që u bëri sot kryedemokrati.

“Jo pa qëllim iu drejtua në anglisht ndërkombëtarëve. Deri tani ai kishte thënë se nuk i komentoj deklaratat e ndërkombëtareve. Ai sot  foli në anglisht me ata duke u tha se mos me kërkoni mua çfarë nuk pranohet në vendet tuaja nga qytetarët tuaj. Nga sot do kemi një përballje publike të zotit Basha me ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët pritet të reagojnë ashpër, pasi janë ata që shpesh kanë ndërhyrë. Basha ka dashur që të trokasë tek ata publikisht”.

Më tej ai është shprehur se pret nga opozita bojkot të zgjedhjeve lokale, për të treguar se sa e vendosur është në rrugën që ka marrë.

“Tani ne jemi në një stinë protestash dhe këto janë vetëm një instrument i këtij udhëtimi politik që ka marrë zoti Basha. Djegia e mandateve është akti kryesor që ka marrë opozita. Bojkoti i mundshëm i zgjedhjeve lokale mund të jetë një tjetër akt.  Një datë për protestat e ardhshme nuk e jep pasi Parlamenti mund të ndërrojë agjendën”.

Gjithashtu Sula tha se përpara Parlamentit sot u hedh më shumë gaz lotsjellës se ç’duhej, dhe sipas tij mund të kishte ndodhur edhe ndonjë fatkeqësi.

“Te Parlamenti  u hedh më shumë gaz se ç’duhet dhe larg qoftë mund të ndodhin edhe fatkeqësi sepse ka njerëz të paparalajmëruar”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!