Studiuesi Nexhmedin Spahiu: Nëse bashkohen Shqipëria dhe Kosova, njëri nga kombet shuhet

schedule21:55 - 5 Nëntor, 2021

schedule 21:55 - 5 Nëntor, 2021

Studiuesi Nexhmedin Spahiu deklaroi në emisionin “Tiranë-Prishtinë” nga Baton Haxhiu në ABC se në rast se Kosova bashkohet me Shqipërinë, njëri prej këtyre dy kombeve shuhet, duke i cilësuar si dy kombe të ndryshme shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Shqipëri.

“Kombi dhe etnia nuk janë e njëjta gjë. Nëse bashkohet Kosova me Shqipërinë shuhet njëri nga këto kombe, varësisht se kush mbetet kryeqyteti. Nëse Prishtina mbetet kryeqytet shuhet ky kombi këndej (Kombi shqiptar). Nëse Tirana mbetet kryeqyet, shuhet kombi i Kosovës. Atëherë, (Kosova) nuk ka për të pasur më ministri të jashtme. Nuk ka për pasur kombëtare të Kosovës në futboll, nuk ka për të pasur Teatër Kombëtar të Kosovës etj.”

Më tej profesori Spahiu shtoi: “Mjafton që një komunitet të ndërtojë një shtet dhe që ky shtet të njihet nga kombet e tjera, që të quhet komb”.

Argumenti i tij u kundërshtua pjesërisht nga pedagogu dhe analisti Ervis Iljazaj i cili tha se sipas “modelit francez” edhe mund të ketë komb kosovar, por se sipas “modelit gjerman” kombet bëhen bashkë nga e njëjta gjuhë dhe traditë dhe jo nga shteti, dhe nga kjo pikëpamje Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy kombe të ndryshme.

Spahiu u pajtua se shqiptarët në Kosovë e Shqipëri i përkasin të njëjtës etni por se etnia e kombi janë dy koncepte krejt të ndryshme. Nga ana tjetër Spahiu e klasifikoi kombin shqiptar si monoetnik dhe multifetar.

I pyetur për formulën themeltare të kombit shqiptar Spahiu tha se pavarësisht përqindjeve jo të barabarta të komuniteteve fetare, kombi shqiptar është komb mysliman-kristian me hise të barabartë 50% myslimanë dhe 50% i krishterë. Përkatësisht 25% myslimanë suni, 25% bektashi, 25% Ortodoks dhe 25% katolik, edhe pse statistikat e popullsisë janë tjera. Spahiu deklaroi se kësaj formule i është përmbajtur edhe mbreti Zog duke krijuar një familje gjysmë të krishterë dhe gjysmë myslimane. Në kohën kur mungonte mbreti (1943-44), regjenca shqiptare kishte katër anëtarë që përfaqësonin secilin komunitet: Mehdi Frashëri atë bektashi, Fuad Dibra atë mysliman suni, Lef Nosi komunitetin ortodoks dhe Anton Harapi komunitetin katolik.

“Kombi shqiptar është monoetnik dhe multifetar. Shumica e kombeve në Europë janë monoetnike dhe monofetare”.

Profesor Spahiu tha se etnitë janë krijesa të Zotit (natyrale) kurse të gjitha kombet pa përjashtim janë krijesa artificiale.

“Republika e Kosovës është krijesë njerëzore. Ajo nuk ekzistonte deri para 13-14 viteve ashtu si e krijuan patriotët shqiptarë Shqipërinë para 100 e ca viteve. Në botë janë rreth 8 mijë etni të ndryshme dhe 7 mijë gjuhë. 1 mijë etni e kanë humbur gjuhën. Etnia nuk ka flamur. Kombi ka flamur. Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut janë e njëjta fe, e njëjta etni, e njëjta racë. Kanë të njëjtit emra por janë dy kombe të ndryshme”, tha Spahiu. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!