Roberto Mancini nuk e fsheh lumturinë për kualifikimin e parakohshëm. Italia e tij është rikthyer të luajë bukur dhe të fitojë. Tetë fitore në po aq ndeshje janë një ecuri fantastike dhe triumfi i sotëm përballë Greqisë vulosi kualifikimin në Euro 2020.
Trajneri i kombëtares së kaltër analizon suksesin e madh, falënderon tifozët e kryeqytetit (56 mijë të pranishëm në Olimpico) dhe ka një dedikim special për këtë fitore dhe arritje të djemve të tij. Pjesa e parë nuk ishte pozitive, por gjithçka u rregullua në 45 minutat e dytë, aty ku Italia shënoi dy herë.
“Djemtë u treguan të aftë, falënderoj publikun për mbështetjen, edhe pse nuk zhvilluam një pjesë të parë pozitive. Këtë fitore ia dedikojmë fëmijëve të spitalit ‘Bambin Gesu’. Në pjesën e parë u kapëm nga paniku, por në të dytën u përmirësuam teknikisht dhe shënuam. Shpresoj që ky të jetë një ogur për rikthimin e netëve magjikë për Italinë, sidomos në qershorin e ardhshëm”, përfundoi Roberto Mancini. /abcnews.al