Nevil Dede, trajneri i Shqipërisë U19, ka dalë para mediave dhe ka folur për kualifikueset që do të zhvillohen në Belgjikë. Kuqezinjtë do të rivalizojnë me Belgjikën, Islandën dhe Greqinë dhe Dede do kualifikimin. Tekniku flet për rivalët në grup, marrëveshjen e bërë që disa lojtarë të bashkoheshin me 19-vjeçarët, si edhe për kapitenin Ernest Muçi dhe për të vetmin refuzim që kanë marrë.
MARRËVESHJA – “Tani në nëntor bëhet gati një vit që po punojmë. Jemi munduar të bëjmë gjëra të mira. Broja, Bullari dhe Ndrecka kanë qenë pjesë e rëndësishme e Shpresave. Është një marrëveshje e bërë mes të gjithëve, që këta lojtarë të jenë pjesë e Shqipërisë U19. Nuk dua të fshihemi, jam i bindur dhe e them hapur që shkojmë për t’u kualilikuar. Shpresojmë që kjo datëlindje të jetë një brez i mirë për kombëtaren A”.
RIVALËT – “Kemi informacion të plotë për rivalët. Tani gjërat janë më të thjeshta. Duke parë kundërshtarët mendojmë se jemi pretendentë. Është grupi më i ekuilibruar. Jemi skuadër e fortë, Greqia ka koeficient të lartë. Belgjika është e fortë dhe Islanda një ekip që rritet”.
FITORJA NË MIQËSORE – “Polonia është e barabartë me të gjithë ekipet që kemi ne në grup. Ajo fitore ishte sinjali më i mirë që morëm. Edhe lojtarët morën një sinjal, që vlen për moralin dhe mundësitë që kemi. Grupi është apo ai po ta shihni, janë vetëm prurjet nga U21 që janë rikthime duhet thënë”.
MINUTAZHI PËR LOJTARËT – “Po të shohësh listën e ekipit U19, vetëm dy lojtarë janë ata që nuk kanë minuta dhe kjo për shkak se janë me ekipe të para. Ata janë Muçi dhe Beqja. Të gjithë këta lojtarë luajnë kudo që janë, janë titullarë. Rritja e Muçit është e madhe, ka treguar që është vendimtar dhe jo më kot është kapiten. Kjo e bën më të ndërgjegjshëm atë që të japë më të mirën. Minutazhi i mungon, por Tirana është klub i madh dhe stërvitet mirë aty”.
MBROJTJA – “Jemi munduar shumë. Kemi parë shumë lojtarë, sidomos mbrojtës. Kemi Picin, që është një lojtar që vjen nga U17. Kështu janë edhe disa të tjerë. Me rëndësi është si mbrojmë si ekip, jo si repart apo individ. Në fund futet edhe fati brenda. Shumica e lojtarëve shpresojmë të jenë pjesë e perspektivës edhe për kombëtaren”.
REFUZIMET – “Kemi vetëm një rast, Adrian Bajramaj. Erdhi për ne dhe më pas iku te Zvicra. Jemi munduar të marrim lojtarë që nuk janë të dyzuar. Nuk i gjykoj ata për zgjedhjet që bëjnë. Ai është rasti i vetëm. Nuk kemi pasur kontakte me Andrea Ndoj, mund të jetë i datëlindjes 2000”. /abcnews.al