Debutuan me gola, Muçi dhe Selmani modestë dhe me këmbë në tokë

schedule20:38 - 5 Shtator, 2020

schedule 20:38 - 5 Shtator, 2020

Ernest Muçi po kalon një moment fantastik. Sulmuesi i Tiranës debutoi pasditen e djeshme me Shqipërinë U-21 dhe i mjaftuan 11 minuta për të gjetur golin e parë me kuqezinjtë. 19-vjeçari shënuar edhe golin e dytë personal në fitoren 1-5 ndaj Austrisë, teksa flet rreth këtij momenti në një prononcim për Supersport.

GOLAT – “Ai gol që i kam shënuar Partizanit në derbin e fituar 5-1 më shijoi më shumë, por edhe ky në këtë debutim timin me U-21, ku morëm një rezultat historik. Jemi shumë të lumtur, dhamë të gjithë 100% dhe tani të shikojmë ndeshjen me Andorrën”.

OBJEKTIVAT – “Në çdo ndeshje mundohem të jap më të mirën, të shënoj gola dhe të shërbej për shokët e skuadrës. Jam shumë i gëzuar që, edhe pse e nisa nga stoli, prapë shënova dy gola. Më motivojnë që në çdo ndeshje ku trajneri të më japë besimin të arrij të shënoj sërish”.

E ARDHMJA – “Pas Andorrës nuk e di çfarë do të ndodhë. Kemi edhe ndeshjen me Tiranën në ‘play-off’ e Europa League, besoj se do ta luaj dhe shpresoj të kualifikohemi. Zëra ka se Tirana më ka shitur, por unë jam i fokusuar te loja dhe ndeshja që do të luaj”.

Gol në debutimin me Shpresat, shënoi edhe Adolf Selmani. Mbrojtësi shtatlartë i Laçit zhvilloi një ndeshje perfekte, theu të gjithë aksionet e vendasve dhe një minutë përpara fundit kërceu më lart se të gjithë, shënoi me kokë dhe vulosi fitoren me “manita”.

Jam shumë i lumtur, pasi debutova me gol. Kishim punuar fort për këtë ndeshje, u futëm të gjithë në fushë më qëllimin për të mos dalë pa pikë nga fusha dhe për të luftuar fort në çdo cep të saj. Doja shumë të shënoja, ia bëri hyzmetin dhe goli erdhi.

Fitorja ishte shumë e madhe dhe e rëndësishme,. Unë dhe të gjithë çunat që jemi këtu, kemi kënaqësi që përfaqësojmë ngjyrat kuqezi. Është ndjesi e veçantë dhe shpresojmë t’i çojmë këto ngjyra sa më lart“, u shpreh “gjiganti” 20-vjeçar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!