Debutoi me barazim në stolin e Tiranës, Fagu pas ndeshjes ndaj Teutës: Titulli mbetet ende objektiv

schedule19:42 - 20 Shkurt, 2024

schedule 19:42 - 20 Shkurt, 2024

Trajneri i ri i Tiranës, Erbim Fagu, ka deklaruar pas barazimit pa gola ndaj Teutës në Kupën e Shqipërisë, duke theksuar se titulli mbetet objektiv.

“Ishte dita e parë, nuk është se isha stërvitur me ekipin dhe logjikisht do të ndiqja linjën që ka pasur ekipi. Kisha dy mungesa si Latifi e Deliu dhe dukë parë organikën që kemi, mendova që lojtarët që aktivizova, dhe me konsultën e stafit që ishte, mendova që të rreshtoja këta lojtarë me direktivat që dhashë.

Uën jam optimist se e kam ndjekur kampionatin shqiptar, edhe pse kam qenë në Holandë, kam ndjekur të gjitha ekipet. Për sa i përket Tiranës kontingjenti është, lojtarët janë cilësorë, shumë kualitativë dhe mendoj se kemi mundësitë me grupin aktual të arrijmë objektivat që kemi.

Sa i përket skemës, nuk është se mund të komentoj nëse është mirë apo e keqe, por kam shumë besim. Jam shumë optimist që me këtë grup lojtarësh do të arrijmë në katërshen e parë për të synuar titullin kampion.

Deliu e Latifi u lanë jashtë për gjendje fizike. Deliu kishte gjendje gripale dhe Latifi kishte dëmtim dhe nuk desha ta rrezikoja. Nuk kishte rotacion, përdora lojtarët që kisha në dispozicion duke u vendosur në atë lloj rreshtimi.

Tërheqje dhe top i gjatë në minutat e fundit? Nuk mund të them se ishte strategji, por janë disa momente që gjatë lojës lojtarët, mbase bëjnë edhe atë lloj zgjidhje, duke marrë parasysh atë lodhje se kanë pasur ndeshje të ngjeshur. Direktiva ishte për të luajtur topin nga poshtë, por asgjë nuk është e prerë me thikë. Edhe Teuta në fund ndryshoi rreshtim dhe na krijoi pak probleme në mesin e fushës.

Nuk di ta them në saktësi, mbase mund të jenë të rënduar edhe psikologjikisht, por nuk pashë ngarkesë. Të gjithë ishin të qetë dhe në harmoni të plotë, do të thosha më shumë ishte një lodhje fizike.

Nuk është se do bëj ndonjë mrekulli, për sa kohë që kam apo ka ngelur. Unë kam si çdo trajner ato filozofitë e veta për ekipin, lojën, ka parimet e veta që do të mundohem t’ia përcjell ekipit në kohë të shkurtër. Kjo mendoj se është sfida ime më e madhe me këtë grup lojtarësh që kemi.

Titulli? Sigurisht që po, këtë e them me bindje, mundësitë janë, lojtarët janë shumë cilësorë. Unë jam besimplotë, do bëjmë hyzmetin në maksimum për të arritur këtë objektiv. Kjo është një nga objektivat kryesore të klubit”, tha Fagu për “MCN” pas ndeshjes./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!