“Dëbimi i qytetarëve kroatë nga Serbia është një praktikë e papranueshme që duhet të dënohet, me insinuatën se qytetarët tanë po ndërhynin në çështjet e brendshme të Serbisë, gjë që nuk qëndron”. Kjo ishte deklarata e kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviç, gjate mbledhjes se Qeverise kroate këtë të enjte.
Ai tha se Kroacia kërkon “sqarim nga autoritetet në Serbi” dhe shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar Beogradit një notë proteste për këtë çështje.
Pllenkoviç tha se partnerët e Kroacisë në Bashkimin Evropian janë informuar për këtë situatë.
Edhe Ambasadori kroat në Serbi, Hidajet Bishçeviç, u tha mediave në Serbi se në tre ditët e fundit ka pranuar informacione lidhur me dëbimin e tre shtetasve kroatë nga Serbia, përfshirë kreun e Dhomës kroate të Tregtisë.
Dëbimet e fundit janë pjesë e një serie të dëbimeve të shtetasve kroatë nga Serbia. Nën pretekstin se paraqesnin kërcënim të sigurisë, në janar të vitit 2025, pjesëmarrës në një punëtori të organizuar nga Fondacioni Erste në Beograd u dëbuan nga Serbia.
Ndërkohë udhëheqja shtetërore serbe e ka akuzuar Kroacinë se përmes shërbimeve sekrete dhe protestave studentore po përpiqet të rrëzojë pushtetin në Serbi.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fund të dhjetorit 2024, foli për ndikimin e agjencisë kroate të inteligjencës në sektorin joqeveritar në Serbi, duke thënë se e gjithë kjo mbështetet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga agjencitë perëndimore të inteligjencës, si nga Evropa ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara. Vuçiç nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këto pretendime.
/abcnews.al/