Ish-kryeministri Pandeli Majko, aktualisht ministër i Diasporës i ftuar në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu e cilësoi për kapital politik debatin e fundit në Tiranë mes shumicës dhe opozitës dhe ngritjen e komisionit hetimor për rolin e Lulzim Bashës në kohën që ka qenë pjesë e UNMIK-ut në Kosovë.
“Një pjesë e këtyre temave janë diskutuar edhe më parë, por ne në Shqipëri kemi deklaruar datën e zgjedhjeve, na ndajnë rreth 100 ditë dhe retorikat e përplasjeve janë të natyrshme” tha ai.
Por a parashikon Majko një ulje tonesh? “Jo! Nuk besoj, të jemi të sinqertë, kjo histori do të jetë deri në 25 prill. Pas 25 prillit do të ju duket çudi sa gjëra do të ndryshojnë. Debati i politikanëve shqiptarë është për të mbledhur secili votat e veta dhe pas 25 prillit është një histori e re” tha ai.
Me akuza të forta kundër Edi Ramës, Ilir Meta e cilësoi si “Kalë Troje”, por Majko ka dy fjalë për Presidentin. “Është metaforë goxha e goditur por për një bisedë krejtësisht tjetër, mendoj se presidenti po bën fushatë elektorale. Në kushte normale presidenti duhet të thërriste kryetarin e parlamentit, për efektet që mund të kishte krijimi i një komisioni.
Deklarata të tilla me histori me tradhtarë dhe kalë troje nuk besoj se i shkojnë një institucioni që është uniteti kombëtar. Kur një president bërtet në studio për kryeministrin “qen bir qeni” këtu merr fund. Unë jam një njeri që e kam votuar Ilir Metën president dhe nuk e kam hedhur firmën për largimin e tij si president, kjo sjelle nuk është e merituar për atë zyrë ku ai është sot” deklaroi ai.
Pjesë nga intervista kur Pandeli Majko flet për konfliktin politik pas ngritjes së komisionit për Bashën
Brenda politikës shqiptare, të qeverisë me opozitën, të kryeministrit me kreun e PD-së, që kanë filluar akuzat dhe kundërakuzat, duket se kjo po përdoret si çështje për të luftuar politikisht, mbase edhe përpara zgjedhjeve, të duket e drejtë, të duket se do të ketë përfitime Kosova nga kjo situatë?
Një pjesë e këtyre temave janë diskutuar edhe më parë, por problemi është se ne në Shqipëri kemi deklaruar datën e zgjedhjeve, rreth 100 ditë na ndajnë diçka më tepër, diçka më pak, nga data e zgjedhjeve. Mendoj se retorikat e përplasjes janë të natyrshme. Ajo që mund të diskutohet se kush ka qenë pozicioni real i politikanëve qoftë në Prishtinë apo në Tiranë në marrëdhëniet me atë që është strategjia e dy vendeve. Këtu mund të ketë një diskutim, do të vazhdojë ky lloj diskutime se ka pasur një histori edhe me dorashka, por koha do ta tregojë të vërtetën, asgjë nuk do të mbesë pa dalë në mejdan, siç thotë populli, gjithçka do të dalë.
Presidenti Ilir Meta ngritjen e komisionit hetimor për Lulzim Bashën e cilësoi si “turpin më të madh që bën Kali të Trojës”….Kali i Trojës?
Është metaforë goxha e goditur por për një bisedë krejtësisht tjetër, mendoj që presidenti dhe Presidenca po bëjnë fushatë elektorale dhe kaq.
Po qeveria po bën fushatë elektorale?
Në kushte normale një president duhet të thërriste kryetarin e parlamentit dhe ta diskutonte këtë pa bërë ndonjë lloj publiciteti, me shqetësimin për efektet që mund të kishte krijimi i një komisioni, etj, etj. Presidenti sipas kushtetutës është simbol i unitetit kombëtar nuk është simboli i marrëdhënieve me publikun. Të tilla deklarata të tilla me histori me tradhtarë dhe kalë troje nuk besoj se i shkojnë institucionit që përfaqëson unitetin kombëtar. Mendoj që një president që bërtet në studio për kryeministrin e një vendi “qen bir qeni” këtu merr fund biseda dhe nuk kemi cfarë diskutojmë më tepër.
E kuptoj që ju jeni në krahun përballë Presidentit, por a mendoni se është një tango që luhet dyshe, e gjithë kjo situatë, a është pa përgjegjësi fare pozita?
Jo! Unë jam një njeri që e kam votuar Ilir Metën për president dhe nuk e kam hedhur firmën për largimin e tij si president, kështu që më takon që të them nja dy fjalë më tepër, kjo sjelle nuk është e merituar për atë zyrë ku ai është sot.
/ db/Abcnews.al