Nga Juxhin Mustafaraj
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama ne lidhje me mënyrën e reagimit ndaj deklaratave te kryeministrit grek Mitsotaqis. Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashaku është i bindur se kryeministri Rama acaroi opinionin publik me deklaratat e tij.
“Sjellja e kryeministrit Rama ishte pikërisht ajo që provokoi shqetësimin e opinionit publik në Shqipëri. Ishte një sjellje me elementë të një provokimi, kishte elementë të profanizmit të kryeministrit, i cili nuk dinte asnjë detaj për çështjen në momentin që ajo u adresua tek ai për shkak të deklarimeve të kryeministrit grek. Ishte edhe për shkak të mungesës së transparencës e cila karakterizoi sjelljen e kryeministrit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe deklarimesh në raport me këtë çështje”, deklaron Kashahu.
Për Kashahun, deklaratat e kryeministrit grek nuk kane qene te panjohura për Ramën pasi ka qene i informuar se do të kërkohej zgjerimi i Greqisë me 12 milje në det.
“Marrëdhëniet e Partisë Demokratike me partinë që sot është në qeveri në Greqi me Neo Demokracia dhe kryeministrin Mitsotaqis janë të shkëlqyera. Ndërkohë nga ana tjetër, si në rastin e krizës humanitare që ndodhi në kufi ku identifikuam më vonë se qeveria e dinte të paktën 11 ditë përpara përmes një informacioni të marrë zyrtarisht nga qeveria greke tregon se diplomacia greke shumë më mirë se diplomacia shqiptare si në formë ashtu edhe në përmbajtje”, thekson eksperti i PD.
Kashahu akuzon qeverinë për mungesën e informacionit ne lidhje me marrëveshjen me Greqinë.
“Ne nuk e dimë sot nëse janë duke u zhvilluar negociatat që u nisën apo jo. Negociatat që u nisën a përfunduan me një draft-marrëveshje? U ndërprenë diku? Dokumentacioni i asaj marrëveshjeje përdoret si dokumentacion referues për vazhdimin e negociatës? Kemi një draft-marrëveshje? Kush është ekipi negociator? Cili është personi që e kryesor ekipin negocitor? A është ai ministri i jashtëm, njëkohësisht kryeministri apo dikush tjetër? Pikërisht kjo mungesë transparence ka rritur paqartësinë. As ne por as opinion publik nuk ka kërkuar detaje të mirëfillta të marrëveshjes”, përfundon Kashahu. /abcnews.al