Debati në PE: Objektiv hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

schedule15:27 - 11 Shkurt, 2020

schedule 15:27 - 11 Shkurt, 2020

Parlamenti Europian ka debatuar në seancën plenare për  tre shtyllat ku mbështetet metodologjia e rishikuar e zgjerimit të Bashkimit Europian. Komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe të zgjerimit, Oliver Varhelyi i ka prezantuar ato që në krye të debatit.

 “Ne po punojmë bazuar në tre shtylla kryesore. Së pari, komunikimi mbi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit të Bashkimit Europian. Së dyti hapja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para samitit të Zagrebit dhe së treti ne do prezantojmë një plan investimi dhe zhvillimi për rajonin e Ballkanit në samitin e Zagrebit. Qëllimi është ndërtimi i shpejtë i një ekonomie të fortë më afër standarteve europiane”, sqaroi komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Eurodeputetët konsiderojnë se testi i parë i suksesit të kësaj metodologjie është hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 “ Metodologjia e re edhe pse nuk ndryshon shumë nga e tanishmja, ka elementë më të mirë. U ofron vendeve aspirante të marrin pjesë në programet europiane si ai i rrjetit transeuropian të transportit apo Pakti i Gjelbër, para se të bëhen anëtare.  Fokusi kryesor është te shteti ligjor, ndaj shpresoj që kjo metodologji të bindë shtetet skeptike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars”, deklaroi Tonino Picula, raportues për Malin e Zi.

Ndërkohë raporutesja për Kosovën u shpreh se funksionimi i institucioneve nuk është i sigurt me hapjen  e negociatave.

“Fatkeqësisht, funksionimi i institucioneve demokratike nuk është i sigurtë me hapjen e negociatave. Serbia ka bërë regres në reformat e shtetit ligjor dhe lirisë së medias dhe ne bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë  dhe vazhdojmë me hapjen e kapitujve të tjerë. Por pa respektimin e kritereve thelbësore, nuk mund të shënohet progress as në fushat e tjera”, Viola von Kramon –Taubadel.

“Tani është koha që të kemi edhe aprovimin e këshillit dhe shteteve anëtare. Ne duhet të jemi të bashkuar kur bëhet fjala për zgjerimin. Tani hapi kyç është hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars . Vetëm atëherë, mund të fokusohemi te kriteret thelbësore”, tha ndër të tjera Vladimir Bilcik, raportuesi për Serbinë.

Ndërsa rapotuesja për Shqipërinë e ka vlerësuar si një mundësi për të ndihmuar në procesin e negociatave.

“Kjo metodologji ofron mundësinë e parashikimit të realizimit të objektivave të fiksuara dhe të marrjes së vendimit në bazë të meritës. Ky është një hap para për të krijuar besim, por ne nuk do të pranojmë që kjo metodologji e re ta bëjë procesin më të vështirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shprehe Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë.

 “Mirëpresim fokusin më të madh te shteti ligjor, grupimin  tematik të  kapitujve të negociatave dhe kushtëzimin e qartë. Jam shumë në favor të këtij procesi të ri, por nuk dua të shoh që kjo ide e re të kthehet në një kusht të ri që do ta lerë sërish rajonin si paradhomë e Bashkimit Europian”, tha eurodeputeti Lukas Mandl.

“Sigurisht që 6 vendet kanë shumë për të bërë kryesisht lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin midis tyre. Por negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë sa më shpejt, para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet në Serbi dhe Mal të Zi po afrohen, por Serbia duhet të njohë Kosovën, ashtu si dhe Kosova duhet tê heqë taksën e importit të mallrave”.

Përshëndes fokusin mbi shtetin ligjor gjatë gjithë procesit të negociatave të anëtarësimit. Shteti ligjor nuk është të përzgjedhêsh një opsion në letër dhe ta firmosësh. Eshtë thelbi i asaj që na bashkon. Ne kemi tepër kundërshtarë të lirive brenda Bashkimit Europian. Nuk duam të kemi më shumë. Ne nuk do të mjaftohemi me reforma në letër. Ajo që ka rëndësi është realiteti i përditshëm i mbrojtjes se vlerave themelore”, theksoi eurodeputetja Nathalie Loiseau.

“Metodologjia e re e bën procesin më politik, por edhe më efiçent. Organizimi në grupime tematike do ta bëjë hapjen e kapitujve më të shpejtë. Nëse mbyllet një grupim, kjo çon në përfitimin e disa fondeve europiane, që do të sjellë ndryshimin për qytetarët dhe ndërrmarrjet në rajon”, mësohet të ketë thënë, eurodeputeti, Andor Deli.

“Ne presim që ky propozim të çojë te aprovimi nga shtetet anëtare i fillimit të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. A mund të na sigurojë Komisioni Europian për këtë”, u shpreh eurodeputetja, Tineke Strik.

Komisioni Europian do përgatisë një raport të shkurtër mbi avancimin e reformave të kërkuara nga shtetet anëtare skeptike në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut brenda shkurtit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!