Debati i tretë i kandidatëve republikanë për president, mungon sërish Trump

schedule09:37 - 9 Nëntor, 2023

schedule 09:37 - 9 Nëntor, 2023

Në debatin e parë që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, të pesë kandidatët republikanë për president deklaruan mbështetjen e fortë për Izraelin.

Por kandidatët u përplasën kur u diskutua për Kinën dhe Ukrainën, ndërsa po përballen me një trysni në rritje për të ngushtuar hendekun që kanë me Donald Trump, i cili përsëri nuk mori pjesë në debat.

Në qendër të debatit të tretë ishin pretendetët Ron DeSantis dhe Nikki Haley. Haley, e cila ka qënë guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, tha se do t’u jepte fund marrëdhënieve tregtare me Kinën “deri sa ata të ndalonin vrasjen e amerikanëve nga fentanili, diçka që Ron ende nuk ka thënë se do ta bëjë”, tha ajo.

DeSantis tha se, “Haley i mirëpriti investimet kineze në shtetin e saj”, duke iu referuar marrëveshjeve për pronat e patundshme dhe të zhvillimin ekonomik.

Haley më pas e akuzoi  DeSantis se i kishte fshirë të dhënat në faqet zyrtare në internet për të fshehur se Florida e kishte paraqitur veten si mikpritëse për bizneset kineze.

Të pesë pretendentët në skenë u përballën me nevojën për të ngushtuar hendekun e mbështetjes që gëzon Trump ndërsa afrojnë zgjedhjet paraprake në shtetin Ajova, një provë mes kandidatëve republikanë.

Shumë prej kandidatëve e kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin me shpresën për të rritur mbështetjen si konkurrentë të mundshëm përballë ish-presidentit.

Ata e kanë vënë theksin tek dallimet e tyre në politikën e jashtme, por gjithashtu e kanë dënuar ashpër Trump për kritikat e tij ndaj kryeministrit izraelit pas sulmit të Hamasit dhe cilësimin e grupit që sulmoi Izraelin si ‘shumë të zgjuar’.

Në debat morën pjesë edhe kandidatët Tim Scott, Senator i Karolinës së Jugut, Chris Christie, ish-guvernator i Nju Xhersit dhe Vivek Ramasëamy, sipërmarrës në fushën e bioteknologjisë.

Duke shprehur mbështetjen për Izraelin, disa kandidatë thanë se do të ushtronin trysni ndaj universiteteve dhe kolegjeve për të luftuar antisemitizmin.

Rivaliteti midis DeSantis dhe  Haley është rritur gjatë javëve të fundit, ndërsa një sondazh i njohur në Ajova tregon për rritje të mbështetjes për ish-guvernatoren. Gjithashtu ka një rritje të interesit mes donatorëve dhe votuesve për  Haley.

Sipas sondazhit të fundit të Universitetit Quinnipiac, ish-Presidenti Donald Trump gëzon mbështetjen më të madhe mes republikanëve, me 64 për qind, i pasuar nga Ron DeSantis me 15 dhe Nikki Haley me 8 për qind.

Trump nuk ka marrë pjesë as në dy debatet e mëparshme.

Partia republikane ka caktuar mbajtjen e një debati tjetër më 6 dhjetor. Pastaj, kushtet për debatet pasuese do të jenë shumë më të forta, duke e zvogëluar më tej numrin e kandidatëve republikanë që do të mund të marrin pjesë në debatet e ardhshme të partisë.

/abcnews.al