Debati i ashpër: Guardiola kërkon llogari për paratë e La Liga, Tebas kundërsulmon

schedule17:57 - 6 Korrik, 2021

schedule 17:57 - 6 Korrik, 2021

Pep Guardiola dhe Javier Tebas kanë nisur prej ditësh një debat publik, mbi nivelin ekonomik të La Liga dhe Premier League. Guardiola para pak ditësh vuri në shënjestër presidentin e La Liga, të cilin e fajësoi për humbjet e mëdha në La Liga dhe fitimet e ulëta.

“Tebas di gjithçka, më shumë se kushdo tjetër… Në Premier League ka menaxhim më të mirë, kjo duket deri në Azi. Nëse La Liga do vepronte si në Angli, ndoshta Barça, Madrid, Atletico a Valencia do kishin mundësi të investonin më shumë dhe të kishin më pak probleme financiare”, tha fillimisht Guardiola.

Ditën e sotme ka ardhur edhe reagimi i Javier Tebas. Presidenti i La Liga i ktheu sot përgjigje Guardiolas përmes një postimi në Twitter, duke i krijuar idenë se ai nuk është i informuar dhe nuk di shumë rreth situatës financiare të dy ligave.

“Pep, unë mësoj nga Premier League çdo ditë. Do ishte mirë nëse ata do të të mësonin ty diçka mbi makroekonominë e futbollit, në lidhje me efektet e klubeve në inflacionin e pagave, demografinë, të drejtat televizive në Kinë. Dhe për shfajësimin në CAS do të kemi lajmë të reja (referuar dënimit të anuluar të Cityt për ndershmërinë financiare)”, ishte përgjigja e Tebas në Twitter.

Nuk mund të mungonte as përgjigja e Guardiolas, që i kërkoi llogari sërish presidentit, duke e pyetur Tebas se përse La Liga nuk ka aq para sa Premier League edhe pas dy dekadave sukses.

“Javier, shiko kampionatin spanjoll të dy dekadave të fundit: shumë kampionë nga Barça dhe Madrid. Shumë. Finalistë të Champions ishin edhe Valencia e Atletico. Ka shumë Europa League të fituara me Sevillan dhe sundimtarin e fundit, Villarreal. Europiani i kombëtareve me Luis Aragones, më pas Botërori dhe Europiani tjetër me Del Bosque.

Ishte Messi dhe Ronaldo, që bënë gjëra që nuk i kishim parë kurrë më parë. Admirim dhe nderim nga e gjithë bota. Unë nuk marri vesh nga makroekonomia e futbollit, të drejtat televizive apo Kina. Kjo është arsyeja përse ju jeni në krye të La Liga-s, përse jemi ende kaq larg Premier League pas dy dekadave të jashtëzakonshme të futbollit spanjoll?”, shkroi Guardiola.

Kujtuat se mbaroi me kaq? Jo. Tebas u përgjigj sërish dhe këtë herë ishte më i drejtpërdrejtë dhe konkret. “I dashur Pep, meqë nuk e ndjek nga afër këtë temë, po të shpjegoj. Siç mund ta shihni, në vitet e fundit e kemi ulur diferencën me Premier League. La Liga ka shitur të drejtat e saj televizive në mënyrë qendrore për vetëm 7 vite, Premier League e ka bërë për 30 vite.

Për më tepër, Mbretëria e Bashkuar ka njëzet milion banorë më shumë se Spanja. Ne po rritemi dhe e kemi bërë këtë në shtate vitet e fundit. Ne duhet të shqetësohemi për City Footbal Club, që ka grumbulluar 1 miliard euro humbje në shtatë vitet e fundit. Ata nuk janë investitorë, ata janë shpërdorues parash, që krijojnë inflacion. Ti do kishe fituar shumë tituj pa doping ekonomik”, përfundoi Tebas. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!