Ka marrë një kthesë më shumë në anën personale, debati i shtatë në televizion mes kandidatëve demokratë për Shtëpinë e Bardhë.
Në mënyrë të veçantë mes Elizabeth Woren dhe Berni Sanders të cilët ndajnë me njëri-tjetrin mbështetjen e liberalëve, dhe që në përfundim nuk i dhanë as dorën njëri – tjetrit dhe pse janë miq të vjetër.
Senatori i Vermont mohoi t’i kishte thënë Woren se një grua nuk do të fitonte dot kurrë presidencën në vitin 2020. Por Woren jo vetëm që këmbënguli në këtë fakt por theksoi se ka triumfuar, ndryshe nga rivali i saj, në çdo zgjedhje që ka marrë pjesë.
Sanders nga ana e tij u mbrojt duke thënë se është e pamendueshme që ai të ketë thënë një gjë të tillë duke marrë në konsideratë se Hillary Clinton në vitin 2016 mori mazhorancën e votës popullore.
Për pjesën tjetër mbrëmja nuk u karakterizua nga ndonjë debat i fortë mes kandidatëve të tjerë. Me përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, pyetja e parë ishte për lindjen e mesme në lidhje me tërheqjen ose jo të ushtarëve amerikanë nga rajoni.
Pak a shumë të gjithë kandidatët mbështetën domosdoshmërinë për të shmangur një luftë pa fund. Sanders, akuzoi Biden i cili kishte votuar pro luftës në Irak në vitin 2002, por ish zv/presidenti amerikan deklaroi se ishte kandidati më i kualifikuar për të menaxhuar një krizë gjeopolitike, pasi ka qenë numri dy i Barack Obamës.
Ish zv/presidenti konfirmohet në krye të sondazheve, por ndiqet nga afër nga Sanders e më pas nga Woren e Butigieg si në Jaoua ashtu dhe në New Hampshire.
Këto janë dy shtetet e para ku votohet. Ajoua konsiderohet dhe si një tregues i rëndësishëm për kandidatët në garë. Nga viti 2000, çdo sfidues demokrat që ka dalë i pari në Ajoua, përfshi dhe ish-presidentin Barack Obama në 2008-ën, ka fituar emërimin përfundimtar./abcnews.al