DEBATI/ “Digje dhe nuk shkon te Shqipëria”, Toverlani-Sadikut: Po luajnë për gjak shqiptari!

schedule08:59 - 23 Mars, 2021

schedule 08:59 - 23 Mars, 2021

Kalimet nga Kosova te Shqipëria vijojnë të komentohen, sikurse ka ndodhur më parë kur lojtarë si Rashica, Rrahmani e Shala vendosën të luajë për përfaqësuesen dardane.  Së fundmi si opsion për Shqipërinë ka dalë edhe Zymer Bytyqi, anësori që luan te Konyaspor dhe ka qenë pjesë e Kosovës në një miqësore në janar të vitit 2020.

Në emisionin “Dueli Sportiv”, gazetari Arlind Sadiku ka theksuar se Kosova duhet t’i djegë disa lojtarë, në mënyrë që të mos i marrë Shqipëria, madje bën edhe një paralelizëm duke u shprehur se pse akuzohen ata lojtarë që zgjedhin Gjermaninë e Zvicrën, ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë me ata që kalojnë te Shqipëria.

Trajneri i njohur, Afrim Toverlani, nuk e sheh aspak problem këtë, duke u shprehur se janë shqiptarë. Sadiku në fakt tenton ta vërë theksin te lotimi që FSHF bën që të marrin sa më shumë lojtarë shqiptarë në diasporë dhe tregon edhe mesazhin që Hamdi Salihi i ka dërguar Elvis Rexhbecajt, i cili luan në Bundesliga me Koln.

“Po shohim se Shqipëria po lobon shumë për të marrë lojtarët, sidomos të Kosovës. Nëse i akuzojmë lojtarët që zgjedhin Zvicrë apo Gjermaninë, atëherë është njësoj sikur të ikin te Shqipëria. Pak kush po e diskuton këtë gjë”, tha fillimisht Sadiku, me të cilin Toverlani nuk pajtohet. Tekniku thotë se nuk ka asgjë të keqe të luajnë për Shqipërinë futbollistët dardanë, si dhe përmend edhe që ka lojtarë që i kanë bërë presion Shqipërisë e Kosovës kur nuk kanë luajtur.

“Kush lojtar nga Kosova e ka zgjedhur Shqipërinë në këto vitet e fundit për aspekt patriotik? Ishte Ismajli që rrinte në stol te Kosova, iku te Shqipëria. Ishte Dërmaku që rrinte në stol te Kosova, iku te Shqipëria. Salihu nga Kosova U21 kalon te Shqipëria”, vijon gazetari i Supersport Kosova.

“Si ta kthejmë Ismajlin tani që është në Seria A? Po ti fute 1 minutë në lojë dhe nuk ikën dot te Shqipëria. Të ishte bërë. Kur nuk ka gjë të keqe kur luajnë për Shqipërinë, përse ka të keqe kur zgjedhin Zvicrën? Ne kemi dy përfaqësuese për momentin. Lobimi i FSHF ndaj lojtarëve të Kosovës është i jashtëzakonshëm në vitet e fundit.

E keni parë postimin e Sokol Cikalleshit që i bën ftesë publikisht Zymer Bytyqit, i cili po rritet shumë, ka dy asiste në tre ndeshjet e fundit dhe kemi të ftuar lojtarë që nuk janë në formë si ai. Nëse nuk luan me Lituanin, kundër kujt do të luajë. Është një tjetër lojtar që mund të shkojë te Shqipëria për shkak se Kosova nuk e fton.

Kam edhe një mesazh që Hamdi Salihi i ka dërguar Elvis Rexhbecajt, të cilit i kërkon takim dhe i thotë që ka ndeshje kundër Anglisë, Spanjës e Francës dhe që i jep mundësinë të rritet”, është shprehur mes të tjerash Sadiku gjatë emisionit, ndërkohë që më pas ka ndërhyrç Toverlani.

“Edhe ne ua kemi marrë Amirin (Rrahmanin) dhe Milotin (Rashicën). Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që ua kemi marrë? Ata kanë luajtur për moshat e tyre. Unë nuk shoh asgjë të keqe, luan me Kosovën apo Shqipërinë. Po luan për gjak shqiptari”, shton trajneri i njohur, ndërsa Sadiku thekson se mendimet e tij janë në aspektin e trajnerit, që duhet të tentojë të krijojë një grup sa më të fortë lojtarësh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!