DEBATET PËR ISLAMIN/ Khabib “thumboi” presidentin Macron, distancohet ylli i Chelsea

schedule10:39 - 11 Nëntor, 2020

schedule 10:39 - 11 Nëntor, 2020

Antonio Rudiger kërkon falje. Shkak është bërë një “like” në një postim të Khabib Nurmagomedov. Luftëtari i tërhequr nga UFC nuk ngurroi të mbante një qëndrim ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Khabib postoi një foto të kreut të shtetit francez, ndërkohë që i kishte vënë shenjën e këpucës në fytyrë.

Një mesazh i gjatë i Khabib, i cili e konsideron një “llum” Macron, mori pëlqime të shumta, ku mes tyre ishin edhe emra si David Beckham dhe Karim Benzema. Gjithsesi Rudiger është tërhequr nga ai veprim që ka bërë dhe ka sqaruar gjithçka.

“Sigurisht nuk duhet të pëlqesh postime të shkruara në gjuhë që nuk i kupton aspak. Unë refuzoj çdo lloj dhune dhe prandaj do të doja të distancohesha qartazi nga ajo lloj përmbajtjeje. Kërkoj falje për atë ‘like’, që unë e kam zhbërë tashmë. Sigurisht nuk e mbështes aspak përmbajtjen e atij postimi në Instagram”, shprehet për Sportschau mbrojtësi i Gjermanisë.

“Injorant që ka fyer ndjenjat e besimtarëve myslimane”, cilësohet Macron nga Khabib në një nga postimet e tij, ndërkohë që “rt.com” sjell në plan të parë edhe faktin që Presnel Kimpembe u etiketua si një idiot nga një politikan francez, për shkak se i bëri “like” postimit të luftëtarit të MMA. Jo vetëm kaq, por edhe u kërkua largimi i tij nga kombëtarja.

Ndërkohë në lidhje me këtë çështje ka edhe sportistë që mendojnë se duhet kujdes. Cciklisti rus, Ilnur Zakarin, për Sport Express është shprehur: “Për shkak se autori ishte Khabib, media nisi ta shumëfishonte atë. Kjo është një çështje fetare.

Unë vetë jam mysliman dhe e praktikoj islamin, por nuk jam mbështetës i postimeve të tilla. Shumë njerëz na ndjekin dhe dëgjojnë mendimin tonë. Prandaj duhet që të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm”.

Edhe Andrei Rychagov, veterani rus që luan hokej në Francë, ndan të njëjtin mendim: “Unë mendoj se një person që njihet nga miliona njerëz, si dhe ka bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë në sport, ka një përgjegjësi të madhe për gjithçka thotë dhe bën. Duhet të jesh i kujdesshëm me deklaratat dhe veprimet, veçanërisht kur bëhet fjalë për deklaratat që mund të çojnë në dhunë ose diçka të ngjashme”.