Debate në Maqedoni për aplikimin e gjuhës shqipe në institucione

schedule16:15 - 25 Janar, 2019

schedule 16:15 - 25 Janar, 2019

Pas zyrtarizimit të Gjuhës Shqipe në Maqedoni, tashmë debati është përqendruar tek vështirësitë në aplikimin e saktë të saj në institucionet shtetërore. Një nga vështirësitë më të mëdha qëndron tek përkthimi.

Përtej debateve që po shoqërojnë Ligjin për Gjuhët, me të cilin edhe Gjuha Shqipe merr statusin e gjuhës zyrtare, duket se problemet në përdorimin e gjuhës letrare kanë për t’u thelluar dhe më tej. Kjo për shkak se zbatimi i normës letrare në të folur dhe sidomos gjatë të shkruarit nëpër institucione, përfshirë edhe median, lë shumë për të dëshiruar. Kur kësaj t’i shtohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me cilësinë e përkthimit, duket se sfidat e zbatueshmërisë së ligjit që zyrtarizon Shqipen, kanë për të qenë të shumta dhe serioze. Për vënien në jetë të ligjit, por edhe për kulturën tonë gjuhësore, mbrëmë në Klan Debat debatuan Tahir Hani, Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Qeverisë, pedagogët universitarë Vehbi Kadriu e Abdylnaser Sinani dhe Ismail Hamiti, udhëheqës i sektorit të përkthimit në Kuvendin e Maqedonisë.

Profesor Vehbi Kadriu thotë se miratimi i ligjit për gjuhët është një fillim, kurse aplikimi i tij lë shumë për të dëshiruar, ende nuk është ashtu siç e kërkojnë normat e miratuara në kongresin e Tiranës, por është një moment për të cilin duhet të gjithë të punojmë.

Njëra ndër sfidat e aplikimit të Gjuhës Shqipe është edhe përkthimi, thotë profesori Ismail Hamiti, duke shtuar se ky është një problem real me të cilën do të ballafaqohet Maqedonia, për shkak se nuk ka mjaftueshëm përkthyes të kualifikuar, të cilët do të mund të operojnë nëpër institucione.

Nga aspekti social, thotë sociologu Abdylnaser Sinani, do të hasim në shumë probleme nëse Gjuhën Shqipe e aplikojmë vetëm ne shqiptarët, sepse në një shtet multietnik ku të drejtat janë të siguruara me ligj, duhet të gjithë t’i aplikojmë dhe t’i njohim edhe gjuhët e tjera, përveç asaj amë.

Për t’u zbatuar në mënyrë të plotë Ligji për Gjuhët, shteti do të duhet të aplikojë një sistem për përmbushjen e parimeve që burojnë nga ligji, thotë Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Tahir Hani, ku në periudhë një vjeçare, qeveria do të duhet të formojë një agjenci dhe një inspektorat për zbatimin dhe përdorimin e Gjuhës Shqipe.

Përderisa nga qeveria nuk japin të dhëna të sakta se sa do të kushtojë që të gjitha institucionet ta zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ekspertët thonë se shteti duhet të dalë me një analizë të mirëfilltë rreth kostos së jetësimit të ligjit në të gjitha institucionet e shtetit dhe këto mjete t’i drejtojë në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve me kuadër profesional./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!