Pesë ministri në Serbi nënshkruan të mërkurën një memorandum mirëkuptimi në fushën e aplikimit të energjisë bërthamore, bashkë me 20 institucione dhe institute shkencore-akademike, bëri të ditur Qeveria e Serbisë.
Me këtë veprim, siç paralajmëroi më herët Ministria e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë, filloi debati publik për mundësitë e përdorimit të energjisë bërthamore në Serbi.
Në nënshkrimin e memorandumit mori pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cili tha se ky hap korrigjon gabimin e bërë në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, kur shteti ndaloi prodhimin e energjisë bërthamore.
Ai iu referua një moratoriumi të vitit 1989 mbi ndërtimin e termocentraleve bërthamore në territorin e Serbisë.
Vuçeviç tha se është e mundur që të zhvillohet energjia bërthamore, pa rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve të Serbisë.
“Besoj se ky është një shans i madh për zhvillimin e Serbisë. Pres nga ju që të punoni në mënyrë transparente dhe të hapur”, tha Vuçeviç.